Jahjaga takon pensionistët

Presidentja Jahjaga thotë se mirëkupton kërkesat e pensionistëve të Kosovës dhe thekson se institucionet e vendit janë të përkushtuara që, duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të gjejnë zgjidhje të përshtatshme për pensionistët.

Lajme

17/12/2013 12:45

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u takua sot në Presidencë me një delegacion të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, të kryesuar nga  Shaban Kajtazi.

Përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës e njoftuan Presidenten Jahjaga për punën, aktivitetet si dhe çështjet me të cilat përballen pensionistët e Kosovës. Ata e vlerësuan të rëndë gjendjen e pensionistëve të Kosovës dhe theksuan nevojën e rregullimit të çështjes së tyre përmes miratimit të ligjit për skemat pensionale.

Përfaqësuesit e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës gjithashtu e njoftuan Presidenten Jahjaga edhe për kërkesat e bëra në institucionet ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit të Fondit Pensional të Kosovës, në bazë të kontributeve nga e kaluara.

Presidentja Jahjaga tha se i mirëkupton kërkesat e pensionistëve të Kosovës dhe theksoi se institucionet e vendit janë të përkushtuara që, duke u bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të gjejnë zgjidhje të përshtatshme për pensionistët e Kosovës.