Jahjaga pritet në Parlamentin e Amerikës Latine

Atifete Jahjaga në qëndrimin e saj në Panama ka vizituar edhe Parlamentin e Amerikës Latine në këtë qytet. Atje është pritur nga Elias Ariel Castillo Gonzales i cili i tha asaj se do ta shtrojë çështjen e njohjes së Kosovës në këtë Parlament.

Lajme

01/04/2014 22:41

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Parlamentin e Amerikës Latine në qytetin e Panamasë, ku u prit nga kryetari i Parlamentit, Elias Ariel Castillo Gonzales.

“Kryetari Gonzales e mirëpriti vizitën e Presidentes Jahjaga në Parlamentin e Amerikës Latine dhe e njoftoi atë për mënyrën e organizimit të Parlamentit, për aktivitetet e tij dhe për punën që bën ky institucion rajonal”, njoftoi Presidentja nëpërmjet profilit të saj në Facebook.

“Kryetari i Parlamentit theksoi se do ta paraqesë në parlament edhe çështjen e njohjes së Kosovës nga vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Parlamenti i Amerikës Latine, përfshin të gjitha vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore dhe ka selinë e tij në Panama.