Jahjaga nuk i ofron garanci Bllokut për mandatimin e dytë të kryeministrit
Para se Blloku VLAN të merrte vendim që të heqë dorë nga pozita e kryeparlamentarit, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar takime të ndara një herë me krerët e LDK-së e AAK-së dhe më pas, mesditën e së premtes, me kryetarin e PDK-së.
Lajme
Burime të televizionit Top Channel kanë bërë të ditur se Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj i kanë thënë Jahjagës se mund ta votojnë kryeparlamentarin e PDK-së, në rast se ajo u garanton atyre mandatimin për formimin e qeverisë, pas dështimit të PDK-së që ata e parashikojnë në radhën e parë të formimit të qeverisë.
Por, mësohet se Jahjaga u ka dhënë përgjigje negative Mustafës e Haradinajt, duke u thënë se nuk mund ta paragjykojnë procesin e formimit të institucioneve.
Presidentja kosovare iu ka kujtuar liderëve të Bllokut se nëse dështon mandatari i parë që ta formojë qeverinë, herën e dytë, ashtu siç e parasheh vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duhet të sigurohet gjithëpërfshirje.
Në këtë pikë, ajo iu ka kujtuar Mustafës dhe Haradinajt se Lista Serbe ka paralajmëruar bojkot të një qeverie ku do të ishte edhe Vetëvendosje pjesë e saj, e cila ka kërkuar të drejtojë bisedimet Prishtinë-Beograd.
Edhe me kryeministrin Thaçi është biseduar po ashtu për tryezën e përbashkët që kërkon të zhvillojë Presidentja dhe zhvillimet politike të orëve të fundit.
Pas takimeve me liderët partiakë, Presidentja po përpiqet t’i bindë ata që të ulen të gjithë së bashku dhe të diskutojnë për një zgjidhje të përbashkët. Ndërkohë, nga ana tjetër, takimet mes liderëve të Bllokut kanë vazhduar edhe të premten, ndërsa liderët e tij kanë thënë se nuk kanë bërë ndonjë ndryshim të marrëveshjes.
Në mesditë është takuar kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me atë të Nismës, Fatmir Limaj, ndërsa një ditë më parë Mustafa ishte takuar kokë më kokë edhe me kryetarin e AAK-së.