Jahjaga: Nevojiten institucionet për ta parandaluar ekstremizmin dhe terrorizmin në vend

Nevojitet formimi i shpejtë i institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet, për t’u përballur me rreziqet që po i kanosen Kosovës nga ekstremizmi, ka thënë Presidentja Jahjaga. Ajo i ka ftuar të gjitha palët që të gjejnë sa më shpejtë në zgjidhje në përputhje me Kushtetutën. 

Lajme

06/09/2014 14:11

Presidentja Atifete Jahjaga u ka bërë thirrje edhe një herë deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë zgjidhje për të ndërtuar institucionet e Republikës në pajtim të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Jahjaga gjatë shënimit të përvjetorit të 15 të Policisë së Kosovës, ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të miratohen ligjet që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit te organizuar, korrupsionit dhe që parandalojnë aktivitetet terroriste në Kosovë.

“Është shumë e domosdoshme që Kuvendi i ri i Kosovës, dhe unë besoj se deputetët e zgjedhur me votën e popullit do të gjejnë forcën dhe kurajën që të tejkalojnë shpejt problemet e sotme, të miratojë ligje që do të parandalojnë aktivitetet ekstremiste e terroriste të qytetarëve tanë kudo qoftë në botë”, ka thënë Presidentja Jahjaga, me rastin e 15 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Lexojeni të plotë fjalimin e Presidentes:

Kam kënaqësinë që sot të jem në këtë manifestim për Ditën e Policisë së Republikës së Kosovës, kur po shënojmë 15 vjetorin e themelimit dhe punës së këtij institucioni, profesional dhe të përkushtuar që me punën e palodhshme në shërbim të të gjithë qytetarëve, vazhdon të jetë institucioni me i besueshëm në vend.

Në këtë 15 vjetor po kurorëzojmë punën e palodhshme, përkushtimin dhe suksesin tuaj, vendosmërinë për t’u profesionalizuar dhe për t’i kontribuar jetësimit të vizionit që kemi për shtetin tonë, duke ju qëndruar pranë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duke luajtur rol aktiv në forcimin e subjektivitetit të shtetit tonë.

Policia e Kosovës në gjithë rrugën e saj që nga themelimi e deri më sot, u vlerësua për punën dhe angazhimin konkret në terren, me organizimin e mirë si strukturë, që zbaton me përpikëri ligjin dhe sot ajo është një garantuese e denjë e sundimit të rendit dhe ligjit në vend.

Të nderuar të pranishëm,

Sot kur Kosova sikurse e gjithë bota, po përballet me kërcënime nga aktivitetet terroriste dhe ekstremiste, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë dëshmuar përkushtimin e tyre për të ofruar sigurinë për të gjithë qytetarët e vendit, dhe për të mbrojtur idealin e vlerat e shoqërisë sonë.

Policia e Kosovës, në bashkërendim me institucionet e tjera të vendit, përmes aksioneve të saj në javët e fundit, ka treguar profesionalizmin e saj dhe vendosmërinë për të ruajtur sigurinë kombëtare dhe për të mos lejuar që Kosova të shndërrohet në një strehë për individë e grupe të caktuara ekstremiste.

Institucionet tona të sigurisë kanë dëshmuar se janë të afta dhe të përgatitura që të veprojnë kundër grupit të izoluar të njerëzve të manipuluar, të rreshtuar përkrah grupeve ekstremiste, që përbëjnë kërcënim jo vetëm për shoqërinë e shtetin tonë,por edhe më gjerë.

Kosova asnjëherë nuk do të lejojë rritjen e grupeve të tilla në tokën e saj, dhe asnjëherë nuk do të lejojë që vlerat e saj si shoqëri, të ndërtuara me shekuj, të lëkunden dhe të rrezikohen.

Institucionet e Kosovës do të veprojnë në parandalimin e secilit kërcënim duke ndërtuar bazën e një shteti ku sundon ligji dhe rendi dhe ku liria e qytetarëve të tij, e mishëruar në Kushtetutë,është vlera më e madhe e saj.

Është shumë e domosdoshme që Kuvendi i ri i Kosovës, dhe unë besoj se deputetët e zgjedhur me votën e popullit do të gjejnë forcën dhe kurajon që të tejkalojnë shpejt problemet e sotme, të miratojë ligje që do të parandalojnë aktivitetet ekstremiste e terroriste të qytetarëve tanë kudo qoftë në botë.

NE të gjithë, përfaqësues të institucioneve, subjekte politike, e qytetarë të Kosovës duhet të punojmë në respektim dhe zbatim të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Të nderuar oficerë dhe zyrtarë të Policisë,

Institucioni që ju përfaqësoni – uniformën e të cilit e mbani me krenari – është institucioni më i besueshëm për qytetarët e vendit, sepse ju jeni në shërbim të sigurisë së tyre, në mbrojtje të rendit dhe zbatim të ligjit.

Ju jeni gjithashtu çdo ditë me qytetarët e Kosovës, në çdo pjesë të vendit, dhe besimi i ndërtuar mes jush është lidhja më e fuqishme që na bën të besojmë në idealet mbi të cilat po e ndërtojmë shtetin tonë.

Policia e Kosovës është ndërtuar me standardet më të larta profesionale, të gjithëpërfshirës së komuniteteve, me numrin më të lartë të grave në të, duke u bërë kështu institucioni më i afërt dhe më i prekshëm nga çdo kategori e shoqërisë.

Vendosja e rendit dhe sundimi i ligjit është fundamentale për sigurimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit të qëndrueshëm brenda një shoqërie dhe për konsolidimin e demokracisë. Prandaj rendi dhe ligji janë prioritet për institucionet e Republikës së Kosovës.

Shteti i së drejtës ndërtohet me politikat zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe me fuqinë për t’i luftuar ato deri në çrrënjosje. Së bashku me mekanizmat e tjerë, Policia e Kosovës ka një rol të rëndësishëm në këtë luftë, të cilën nuk mund ta humbim.