Jahjaga në takimin e vendeve të rajonit, merr pjesë edhe Merkel

Presidentët e shteteve të Evropës Juglindore do të takohen të martën në Dubrovnik, në takimin vjetor, ku do të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

Lajme

14/07/2014 17:50

Bëhet fjalë për dialogun e liderëve të rajonit, në kuadër të procesit të njohur si “Bërdo-Brione”, i cili në këtë format ka filluar më 1 korrik të vitit 2013, ditën e parë të anëtarësimit të Kroacisë në BE, kurse ka vazhduar me procesin e Bërdos.

Ky takim është mbajtur më 25 korrik të vitit të kaluar në Bërdo afër Kranjit, në Slloveni, me presidentin e Francës si mysafir.

Temat e takimit të sivjetmë janë situata politike dhe marrëdhëniet në rajon, vazhdimin i politikës së zgjerimit të BE-së, projektet infrastrukturore, si dhe politikat energjetike.

Përveç presidentëve të Kroacisë e Sllovenisë, Ivo Josipoviq dhe Borut Pahor, në këtë takim do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Po ashtu, pjesëmarrës janë edhe presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ai i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, Filip Vujanoviq i Malit të Zi, Gjorgje Ivanov i Maqedonisë, si dhe kryesuesit e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq, Zheljko Komshiq dhe Nebojsha Radmanoviq.