Jahjaga kërkon njohje nga Afrika
Presidentja Atifete Jahjaga sot u takua në Londër me Kryesuesen e Komisionit të Unionit Afrikan, Nkosazana Dlamini Zuma, me të cilën bisedoi për rrugën dhe mënyrën e parandalimit të dhunës seksuale gjatë konfliktit si dhe ndihmës për viktimat e kësaj dhune. Jahjaga gjithashtu ka kërkuar që vendet afrikane ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Lajme
Presidentja Atifete Jahjaga sot u takua në Londër me Kryesuesen e Komisionit të Unionit Afrikan, Nkosazana Dlamini Zuma, me të cilën bisedoi për rrugën dhe mënyrën e parandalimit të dhunës seksuale gjatë konfliktit si dhe ndihmës për viktimat e kësaj dhune. Jahjaga gjithashtu ka kërkuar që vendet afrikane ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Gjatë këtij takimi, Jahjaga ka dërguar një mesazh për të gjitha vendet afrikane që të shtojnë nivelin e bashkëpunimit, duke e njohur Pavarësinë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga presidenca.
“Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova gjatë periudhës së luftës është përballur me fenomenin e dhunës seksuale, nga e cila janë prekur një numër i madh i grave dhe vajzave në Kosovë dhe se ndihma për to sot është e domosdoshme për të luftuar stigmatizimin e tyre në shoqëri dhe për të vendosur drejtësinë shumë të nevojshme që ato të mund të gjejnë paqen e tyre”, thuhet në këtë komunikatë.
“Presidentja Jahjaga tha se Samiti Global për të ndalur dhunën seksuale në konflikt në Londër është një përpjekje e përbashkët e të gjithave vendeve pjesëmarrëse në të, që të parandalojnë dhunës seksuale si mjet lufte duke e konsideruar atë si një krim të rëndë kundër njerëzimit”.
“Gjatë këtij takimi, Jahjaga dhe Zuma biseduan gjithashtu edhe për zhvillimet aktuale politike në Kosovë si dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës, ku Jahjaga tha se me vendet e Afrikës duhet të hapin një kapitull të bashkëpunimit me Kosovën duke e njohur pavarësinë e saj”.
“Ajo tha se Kosova është faktor i paqes dhe stabilitetit në Evropën Juglindore dhe po synon anëtarësimin e plotë të saj në OKB, BE dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare”.
“Në anën tjetër, Kryesuesja e Komisionit të Unionit Afrikan, Nkosazana Dlamini Zuma tha se përcjell me vëmendje të gjitha zhvillimet në Kosovë që prej periudhës se luftës dhe është e njohur me rrethanat në Kosovë”.
“Ajo tha se është me rëndësi që njerëzit të vendosin marrëdhënie në mes vete, duke e ndihmuar njëri-tjetrin për të tejkaluar vështirësitë me të cilat përballen”.
“Zuma tha se është shumë e domosdoshme që viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit t’u ofrohet ndihmë gjithëpërfshirëse dhe që të mos përjashtohen nga shoqëria duke u stigmatizuar sepse ato nuk janë fajtore për krimet që janë kryer ndaj tyre”.
“Presidentja Jahjaga po qëndron në Londër ku po merr pjesë në Samitin Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte e organizuar nga Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe z. Ëilliam Hague dhe Përfaqësuesja Speciale e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Angelina Jolie. Presidentja Jahjaga do të adresojë pjesëmarrësit e këtij Samiti në kuadër të Dialogut Ministror ku do të ndajë përvojën e Kosovën në adresimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës”.