Jahjaga kërkon konsensus politik për Gjykatën Speciale

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka nisur takimet me krerët e partive politike opozitare për t’i njoftuar me ecurinë e procesit të themelimit të Gjykatës Speciale.

Lajme

06/03/2015 15:28

I pari që është pritur nga presidentja Jahjaga, për të diskutuar për këtë temë, ka qenë kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.

Sipas një komunikate nga zyra e Presidencës së Kosovës, thuhet se Jahjaga ka informuar kreun e Nismës për punën që janë duke e bërë institucionet e Kosovës për formimin e Gjykatës Speciale.

“Institucionet së Kosovës janë duke u koordinuar për të përmbushur marrëveshjen ndërkombëtare të votuar në Kuvendin e Kosovës nga 2/3 e deputetëve”, ka thënë Jahjaga.

Ajo e njoftoi Limajn për bisedimet mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të BE-së për pakon legjislative e cila pritet të procedohet në muajt në vijim.

Presidentja Jahjaga theksoi nevojën e ndërtimit të një konsensusi politik dhe shoqëror për themelimin e Gjykatës Speciale, duke shtuar se kjo Gjykatë nuk do të gjykojë luftën dhe përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi, por do të merret me akuzat që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës.

Presidentja Jahjaga gjatë ditës së sotme do ta takojë edhe liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymerin.