Jahjaga i kërkon Papa Françeskut që t’u bashkohet shteteve që e kanë njohur Kosovën

Gjatë takimit që ka zhvilluar me Papa Françeskun, presidentja Atifete Jahjaga, duke përmendur 108 shtete që e kanë njohur Kosovën, ka thënë se shpreson që edhe  Selia e Shenjtë do të vendosë që ta mbështesë vizionin e një Kosove të pavarur dhe demokratike. 

Lajme

21/01/2015 11:27

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar në një takim sot në Selinë e Shenjtë në Vatikan në audiencë private me Papa Françesku.

Gjatë takimit i cili zgjati rreth 40 minuta, Jahjga e informoi Papën lidhur më të kaluarën historike të vendit duke thënë se Kosova ka  kaluar nëpër një histori të rëndë të represionit, spastrimit etnik dhe se në themelet e ndërtimit të saj ajo ka sakrificën individuale dhe kolektive.

Ajo ka njoftuar Papën, duke thënë se Kosova në kushtetutë është shtet laik, dhe si e tillë ka një harmoni fetare për qytetarët e të gjitha religjioneve.

“Kosova sot është një shtet laik por gjithashtu edhe një rrëfim inspirues i harmonisë ndërfetare dhe i barazisë ndërmjet të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim”.

“Pas përfundimit të luftës në përpjekje për të ruajtur multietnicitetin dhe multikulturalizmin Kosova ka garantuar të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe gjithashtu ka vazhduar ta forcojë dialogun ndërfetar, duke u mundësuar udhëheqësve fetarë, të tri religjioneve të ndërtojnë marrëdhënie të ngushta ndërmjet vete”.

“Kosova sot është e njohur nga 108 shtete të botës dhe shpreson që edhe Selia e Shenjtë do të vendos që ta mbështes vizionin e një Kosovë të pavarur dhe demokratike”, ka thënë Jahjaga, thuhet në një postim të saj në Facebook.

Duke folur për qëllimet strategjike të Kosovës për t’u bërë anëtare e barabartë e organizatave ndërkombëtare, para së gjithash e BE-së, OKB-së dhe NATO-s, Presidentja Jahjaga tha se Kosova synon të bëhet një vlerë e shtuar bazuar në traditën e saj të diversitetit dhe multikulturalizmit dhe të bashkëjetesës.

Presidentja Jahjaga i shprehu Papa Franceskut mirënjohjen për pritjen duke e vlerësuar si një gjest të besimit dhe të njohjes së përpjekjeve të Kosovës për të forcuar harmoninë ndërfetare si dhe të ambicieve për të jetuar në paqe dhe liri të një shoqërie të qytetarëve të barabartë.