Jahjaga fajëson ish Bllokun LVAN për shtyrjen e liberalizimit të vizave
Ish Blloku LVAN i krijuar pas zgjedhjeve të qershorit të vitit të kaluar, la vendin pa institucione të reja për rreth gjashtë muaj. Kjo vonesë e krijimit të institucioneve nga presidentja Atifete Jahjaga po shihet si një ndër faktorët kryesor që ka shkaktuar edhe vonesa në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifite Jahjaga i ka bërë përgjegjëse partitë politike se me vonesën në krijimin e institucioneve kanë shtyrë edhe procesin e liberalizimit të vizave.
Veç kësaj, Jahjaga ka thënë se bllokada gjashtëmujore ka shtyrë edhe reformat e brendshme.
“Gjashtë muaj ta kemi një krizë të thellë politike, të mos krijimit të institucioneve, nuk ishte edhe aq mesazh i duhur ndaj qytetarëve të cilët, deshëm apo nuk deshëm, ajo ka reflektuar në masë të madhe në shtyrjen e mëtejme të disa proceseve të cilat ishin, duke përfshirë këtu edhe këtë të fundit, procesin e MSA, procesin e liberalizimit të vizave dhe çështjet e tjera për të cilat ne kishim marruar obligimet ndërkombëtare, si shtet, duke përfshirë edhe reformat e brendshme”, ka thënë Presidentja Jahjaga.
Gruaja e cila katër vite më herët theu tabutë në Ballkan kur, saktësisht më 7 prill 2011 u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga konsideron se koha është relative, për dikë katër vite mund të jenë të gjata ndërsa për dikë të shkurta, megjithatë, gjatë kësaj periudhe, shumë gjëra kanë ndodhur dhe kanë ndryshuar në Kosovë.
Presidentja Jahjaga insiston se Kosova ka kaluar nëpër procese aspak të lehta, në 16 vitet e pasluftës dhe 7 vite pas pavarësimit, të cilat kaluan në shenjë të një tranzicioni dhe transformimi shoqëror që, jo rrallë herë, ishte i vështirë.
“Vendi ynë ka kaluar nëpër tri faza të rëndësishme. Ka kaluar nga diktatura në demokraci, ka kaluar nga lufta në paqe dhe nga ekonomia e kontrolluar nga shteti në ekonomi të tregut të lirë”, tha presidentja e Kosovës dhe lavdëroi qytetarët e vendit për durimin dhe gatishmërinë për t’i pranuar gjitha këto ndryshime dhe reforma.
Të gjitha këto ndryshime, sipas të parës së vendit, kanë pasur për qëllim hapjen e një perspektiv të qartë të shtetit të Kosovës, në veçanti në periudhën pas shpalljes së pavarësisë të Kosovës, kur është dashur të punohet shumë për njohjen e shtetit tonë.
“Tash shtatë vite pas shpalljes së pavarësisë Kosova ka mbi 108 shtete të cilat kanë njohur pavarësinë e vendit tonë, jemi anëtarë i pjesës më të madhe të organizatave rajonale dhe ndërkombëtare, si dhe një shtet që, pas gjithë këtyre viteve, e ka një perspektivë të qartë të integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, thotë me krenari presidentja Jahjaga për Anadolu Agency.
Kritikët e punës së institucioneve të Kosovës vazhdimisht thonë se, në përparimin e Kosovës ka mundur të bëhet më shumë dhe gjërat kanë mundur të bëhen më ndryshe, fakt të cilin presidentja e Kosovës nuk e mohon mirëpo, ajo e kujton njërën ndër vizitat e para të saj si presidente, në Bruksel, me ç’rast kishte ngritur çështjen e një perspektive të qartë për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës, më saktësisht, kishte kërkuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hapjes së dialogut të mirëfilltë për liberalizimin e vizave.
“Përgjigja ka qenë pak ashtu me një skepticizëm që: Kosova është ende shumë larg prej aty! Mirëpo, vetëm dy vite më pas, Kosova hyri në një agjendë të qartë të integrimeve evropiane dhe kjo është krejt fal një punës të madhe, jo vetëm nga institucionet e vendit por edhe një partneriteti të fuqishëm edhe me qytetarët e vendit” kujton presidentja Jahjaga fillimet e një procesi i cili sipas të gjitha gjasave, do të finalizohet këtë verë me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit i cili është hapi i parë konkret drejt procesit të integrimeve evropiane.
Ajo e rikujtoi edhe faktin se, ditëve të fundit, institucionet e Kosovës kanë intensifikuar takimet përbrenda institucioneve me qëllim të koordinimit ndërinstitucional për t’i përmbushur të gjitha çështjet teknike për liberalizimin e vizave, në mënyrë që sa më shpejtë, qytetarët e Kosovës ta fitojnë të drejtën e udhëtimit pa vizë në vendet e Bashkimit Evropian.
Reformat të cilat janë bërë, proceset e dhimbshme nëpër të cilat kanë kaluar dhe po vazhdojnë të kalojnë qytetarët janë sakrificë për të arritur cakun final që, sipas presidentes Jahjaga është edhe alternativa e vetme për Kosovën, integrimet evropiane dhe euroatlantike.
Ndër sukseset të cilat kanë përshpejtuar proceset integruese, kryetarja e Kosovës veçoi zgjedhjet e fundit lokale dhe ato parlamentare, të cilat ishin vlerësuar edhe nga faktori ndërkombëtarë si zgjedhjet më të mira që ka organizuar Kosova, korrekte dhe demokratike.
Mirëpo, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare pasoi kriza politike dhe mos konstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë, në një periudhë të ndjeshme dhe në kohën kur Kosova ishte në mes të proceseve të rëndësishme të reformave të brendshme, si dhe proceseve ndërkombëtare.
Ajo konsideron se, përkundër vonesave dhe dëmit që kjo krizë kishte shkaktuar, Kosova ka kaluar nëpër një proces që, më herët, kishin kaluar edhe shumë shtete tjera demokratike ndërsa, më e rëndësishmja në gjithë këtë proces të krijimit të institucioneve funksionale të vendit ka qenë, respektimi i Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese
Pas bërjes së koalicionit qeverisës dhe fillimit të punës së institucioneve, presidentja e Kosovës vlerëson se, urgjentisht duhet kompensohet koha e humbur në procesin e reformave të brendshme dhe avancimin e agjendës evropiane, në veçanti duke potencuar ringjalljen e ekonomisë, si dhe krijimin e një klime të mirëfilltë të bërjes së biznesit dhe tërheqjes së investimeve të huaja.
“Kosova, për vite me radhë, është duke u cilësuar nga raportet e Bankës Botërore se është një nga top 10 vendet e botës dhe revolucionar sa i përket reformave përbrenda, për të bërit biznes. Po ashtu, nuk duhet të harrojmë se, më se 60 % e popullatës e kemi nën moshën 30 vjeçare, që është një potencial i jashtëzakonshëm i shtetit. Ato që ne duhet të bëjmë ta shfrytëzojmë kapitalin njerëzor, që ne duhet t’i japim një perspektiv të qartë dhe ta orientojmë potencialin e tyre drejt zhvillimit të vendit”, tha presidentja Jahjaga dhe me këmbëngulje insiston në tërheqjen e investimeve të huaja sepse, sipas saj, jo vetëm kapitali njerëzor por edhe resurset natyrore të vendit janë potencial i jashtëzakonshëm me të cilin do të garantohet stabiliteti afatgjatë i Kosovës.
Lidhur me shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forcë të Armatosur të Kosovës (FAK) dhe vështirësive eventuale që, mospjesëmarrja e deputetëve të Listës Serbe në punën e institucioneve të Kosovës mund të shkaktojë, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga tha se, çështja e transformimit të FSK nuk është vetëm obligim i kësaj Qeverie dhe përbërje të Kuvendit por një proces i vazhdueshëm i cili ka dal nga rishqyrtimi i sektorit të sigurisë i bërë një vit e gjysmë më parë, nga i cili kanë dal rekomandime për transformimin e mëtutjeshëm të FSK-së.
Kryetarja Jahjaga premton se ky proces do të vazhdoj me tempin e përcaktuar: “E ardhmja e FSK-së është në kuadër të anëtarësimit në NATO dhe i gjithë ky proces është i koordinuar dhe i harmonizuar, për së afërmi, përbrenda institucioneve të vendit tonë dhe partnerëve tanë ndërkombëtar. Forca e Sigurisë së Kosovës reflekton përmbajtjen e qytetarëve të Kosovës, duke qenë një Forcë multietnike, profesionale, e aftësuar dhe përgatitur, si dhe e edukuar në bazë të standardeve më të larta të pranuara, evropiane dhe ndërkombëtare, në aspektin e vendeve perëndimore.”
Marrëdhëniet ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë sot, në krahasim me ato që ishin para katër viteve kur presidentja Jahjaga erdhi në detyrë, ajo i konsideron dukshëm më të avancuara, duke pasur parasysh të kaluarën e vështirë që ka lënë pasoja shumë të mëdha për të gjithë qytetarët e Kosovës por edhe mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sidoqoftë, sipas Jahjagës, hapja e dialogut për t’i normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me një përkrahje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa dyshim se do të kontribuoj në procesin e integrimeve evropiane sepse një ndër parakushtet themelore të Bashkimit Evropian është që, të gjitha çështjet e pazgjedhura duhet të zgjidhen brenda gjitha vendeve.
“Kemi ende punë për të bërë në normalizimin e mëtutjeshëm të këtyre raporteve dhe unë besoj fuqishëm që ky proces dhe ky normalizim i marrëdhënieve të mëtutjeshme në mes të dy vendeve tona, do të kurorëzohet me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë” konsideron presidentja Jahjaga dhe shton se, fundi i këtij procesi do të jetë pozitiv për të gjithë.
Kontribut në relaksimin e marrëdhënieve, Kosova po jep duke integruar serbët në jetën shoqërore dhe atë institucionale, si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror ku ka serb në pozitën e zëvendës kryeministrit, ministrave, zëvendës ministrave dhe kryetarëve të komunave.
Megjithatë, presidentja Jahjaga nuk fesh faktin se Kosova ende po ngec në integrimin e komunitetit serb që jeton në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës, ku ajo pjesë e komunitetit serb, ende po mbahet peng i politikave ditore të Republikës së Serbisë.
“Sa më parë që Serbia ta heq ndikimin e vet ndaj komunitetit serb në atë pjesë të Republikës së Kosovës, kjo do të kontribuoj në integrimin e tyre të mëtutjeshëm në jetë institucionale dhe shoqërore sepse, ardhmëria e tyre është në Kosovë dhe përmes Kosovës në integrimet evropiane” vlerëson presidentja Jahjaga dhe se mënyra të cilën e ka zgjedhur Kosova, vetëpërmbajtja e shtetit dhe afrimi i gjitha etnive, kulturave dhe religjioneve për të jetuar në paqe dhe për të punuar së bashku, është mënyra më e mirë.
Nga ana tjetër, duke mos dashur të bëjë krahasime, ajo ka ftuar shtetin fqinj, Serbinë, që të ketë parasysh të drejtat kushtetuese të garantuara për të gjitha komunitetet, jo vetëm për shqiptarët por edhe hungarezët, rumunët, kroatët dhe të gjitha komunitetet tjera të cilat jetojnë në territorin e Republikës së Serbisë.
Sipas presidentes Jahjaga, Kosova është shembulli më i mirë i respektimit dhe garantimit të drejtave të komuniteteve, në rajon.
Kur bëhet fjalë për rajonin dhe raportet e shteteve që dikur kanë qenë pjesë e shtetit të përbashkët, ish Jugosllavisë, Kosova ka vendosur raporte shtetërore me po thuaja të gjitha vendet, përveç me Bosnjën dhe Hercegovinën e cila nuk e njeh Kosovën. Kjo po iu shkakton probleme të mëdha në lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, shumica prej të cilëve janë të komunitetit boshnjak. Në pyetjen tonë se, si mund të tejkalohet kjo situatë, përgjigja e presidentes Jahjaga ishte e prerë: “Me njohjen sa më parë të mundshme nga ana e Bosnjës për Kosovën.”
Ajo shpjegon se komuniteti boshnjak është i integruar mirë në shoqërinë kosovare dhe në të gjitha nivelet e institucioneve qendrore dhe lokale, mirëpo mosnjohja e Kosovës nga Bosnja është pengesë e madhe për komunikimin e mirëfilltë të komunitetit boshnjak i cili jeton në Kosovë me Bosnjën, si dhe lëvizja e tyre e lirë drejtë shtetit amë.
Kryetarja e Republikës së Kosovës, marrëdhëniet ndërmjet të Kosovës dhe Turqisë i vlerëson si jashtëzakonisht të mira dhe miqësore, ndërsa Turqinë si vend i cili përherë ka qenë mik i Kosovës dhe i kosovarëve.
“Ka qenë një përkrahës i fuqishëm i të gjitha proceseve demokratike në vendin tonë, një përkrahës i fuqishëm i të gjitha proceseve të shtet ndërtimit të shtetit tonë dhe ka qenë po ashtu, një lobues i fuqishëm për njohjen e Kosovës dhe pavarësisë së shtetit tonë nga vendet tjera” thekson presidentja Jahjaga.
Turqia, përkatësisht kompanitë turke kanë investuar shumë në Kosovën e pasluftës, duke filluar nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, ndërtimin e terminalit të ri të cilin e ka bërë kompania Limak, pastaj privatizimi i rrjetit të distribucionit të energjisë elektrike tash i njohur si KEDS, si dhe investimet në sistemin bankar përmes hapjes së bankave si TEB, Iş Bank dhe paralajmërimi për hapjen e Ziraat Bankasi. Presidentja Jahjaga e vlerëson prezencën e konsiderueshme të investimeve të Turqisë në Kosovë si tregues të mirë të raporteve miqësore në mes të dyja vendeve tona por njëherësh edhe si mesazh për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ekonomik, investimeve në Kosovë dhe prezencës edhe më të madhe të bizneseve të Turqisë, sepse kjo do t’i kontribuon fuqizimi të ekonomisë së Kosovës.
Duke folur për miqësinë ndërmjet të Turqisë dhe Kosovës, si një shembull më tepër të kësaj miqësie, presidentja Jahjaga e përmendi edhe hapjen e servisit të lajmeve në gjuhën shqipe në kuadër të agjencisë shtetërore të lajmeve të Turqisë, Anadolu Agency. Ajo kujtoi se si, për nder të 100 vjetorit të themelimit të saj, Turqia nderoi të gjithë ata që flasin gjuhën shqipe duke filluar me publikimin e lajmeve në shqip dhe me këtë rast, konstatoi se lajmet që dalin nga AA janë shumë të rëndësishme për komunitetin shqiptarët dhe të gjithë shqipfolësit, kudo në botë.
Me 21 Shtator 2014, në New York, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ishte shpërblyer me Çmimin Botëror për Qytetari nga Clinton Global Initiative, çmim ky me të cilin nderohen vetëm ata individ të veçantë që, me vizionin dhe lidershipin e tyre janë shembull në botë. Presidentja e Kosovës u nderua për promovimin e pajtimit ndërmjet të popullit shqiptar dhe atij serb, si dhe për ndërtimin e institucioneve politike dhe ekonomike të Kosovës për të fituar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Për çmimin i cili zë vend qendror në zyrën e saj, presidentja Jahjaga thotë se është më i dashuri, jo vetëm për arsye se me këtë çmim është nderuar puna dhe kontributi i saj personal por, janë nderuar edhe të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, për të gjitha ato të arriturat të cilat Kosova i ka bërë në 16 vitet e pasluftës dhe në veçanti, pas shpalljes së pavarësisë, sa i përket integrimit të komuniteteve, procesit të shtet ndërtimit dhe thellimit të demokracisë në një vend.
Shkrimtari Ismail Kadare, pas takimit që e kishte pasur me presidenten Jahjaga, në zyrën e saj, kishte deklaruar se “kontributi i presidentes Jahjaga në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë është shumë i madh”.
Saktësisht të martën, më 7 prill, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, katër vite të këtij kontributi do t’i lë pas dhe i mbetet edhe viti i fundit i mandatit pesëvjeçar.
Në pyetjen tonë se, si do të kontribuon për Kosovën, në të ardhmen, atëherë kur t’i përfundoj mandati i Presidentes dhe cilat janë planet për të ardhmen, presidentja Jahjaga u përgjigj me buzëqeshje se, me shumë vullnet do të vazhdojë të punojë për Kosovën dhe për qytetarët e vendit.
“Përkushtimi im dhe ajo çfarë unë kam kontribuar në këtë zyre, në ndërtimin e imazhit të gjithë qytetarëve, ka qenë i lehtë sepse është dashur vetëm të pasqyroj atë çfarë ne jemi, çdo ditë, atë çfarë kemi arritur për këto vite dhe për këto dekada me radhë dhe unë do të vazhdoj që të jem në shërbim të shtetit tonë, të qytetarëve tanë, pa marr parasysh se ku do të jem” përfundoi presidentja Jahjaga, presidentja e tretë në histori të Republikës së Kosovës, pas Fatmir Sejdiut dhe Ibrahim Rugovës, dy presidentëve të parë të vendit.