Jahjaga e Thaçi nderojnë veprën e Rugovës dhe të Adem Jasharit

Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi nderuan sot veprën dhe rolin e ish Presidentit Ibrahim Rugova. Pas Prishtinës Jahjaga e Thaçi qëndruan në Prekaz ku bën homazhe te varri i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Lajme

17/02/2014 09:03

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi nderuar sot së bashku ish Presidentin Ibrahim Rugova.

Dy krerët e institucioneve të Kosovës vendosën buqeta me lule pranë varrit të Rugovës në Velani, ku vlerësuan lartë figurën e tij.

Presidentja Jahjaga e quajti Rugovën një njeri që bëri platformën për liri dhe pavarësi, njeriu që kontribuoi në themelimin e strukturave të institucioneve të Kosovës, edhe në kohë më të vështira.

“Në këtë gjashtë vjetor të shënimit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, erdhëm që të bëjmë nderime pranë varrit të Presidentit të parë historik Dr. Ibrahim Rugova, njeriut i cili mendoj ditën e këtij vendit dhe platformën për liri, pavarësi dhe demokraci. Ai arriti të mobilizojë të gjithë në përkrahje të tij”.

“Ai arriti që të fitojë përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, fillimisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Europian”.

“Njeriu i cili krijojë strukturat autonome të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, në kushtet e okupimit”.

Kryeministri Hashim Thaçi foli për rolin e rëndësishëm të Presidentit Rugova në çështjen e shtetndërtimit të vendit.

“Jemi së bashku këtu me Presidenten Atifete Jahjaga për të përkujtuar jetën dhe veprën e Presidentit Rugova”.

“Në gjashtë vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në këto momente kur i kemi fituar 106 njohje ndërkombëtare, ku po forcojmë dhe po konsolidojmë shtetin tonë, po forcojmë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë, të cilat janë storie të suksesit të popullit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”.

“Sot po përkujtojmë sakrificën e të gjithë qytetarëve të vendit, ku rol të rëndësishme në këtë histori të re të Kosovës dhe të shtetndërtimit ka luajtur Presidenti Rugova”.

Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaçi bën homazhe edhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

“Lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rënia e komandantit legjendar Adem Jashari, sakrifica sublime e familjes Jashari dhe rënia në altarin e lirisë e të gjithë bijve dhe bijave të popullit tonë, janë themelet e shtetit të Republikës së Kosovës”, theksoi Presidentja Jahjaga gjatë homazheve në Prekaz.

Presidentja Jahjaga theksoi se këto janë dëshmia më e mirë që lufta për lirinë dhe procesi i shtetndërtimit të shtetit tonë nuk ka qenë aq e lehtë, për të ardhur te dita kur sot populli ynë është një popull i lirë, është një popull sovran, sikurse edhe të gjithë popujt e Evropës, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas nderimeve, para varrit të komandantit legjendar Adem Jashari, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë para gazetarëve:

“Sot shënojmë ngjarjen më kulmore në historinë e Kosovës, Ditën e Pavarësisë. Prandaj jemi këtu për të përkujtuar sakrificën e të gjithë dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të invalidëve të luftës, të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të respektuar dhe nderuar sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi|.

“Jemi sot këtu në Prekaz për të marrë energji të mëtutjeshme të respektit për jetën, veprën dhe sakrificën heroike të komandantit legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari”.