Jahjaga e Thaçi mirëpresin Kodhelin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi pritën sot Ministren e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Mimi Kodheli. Dy të parët vlerësuan bashkëpunimin me shtetin shqiptar, dhe shtruan nevojën për bashkëpunim edhe më të thellë.

Lajme

10/01/2014 15:33

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Kryeministri Hashim Thaçi pritën sot në takime të ndara ministren e Mbrojtjes së Shqipërisë, zonjën Mimi Kodheli.

Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, në veçanti në procesin e integrimeve evropiane.

Ajo i  tha Kodhelit se Kosova ka shënuar përparime të theksuara në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, në veçanti me Republikën e Serbisë.

Presidentja Jahjaga tha se Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Aleanca Veriatlantike. Ajo tha se të arriturat e FSK-së vitin e kaluar kanë marrë një dimension të ri dhe një trajtë konkrete të suksesit me zyrtarizimin e vendimit të NATO-s për të deklaruar kapacitetet e plota të FSK-së.

Në anën tjetër zonja Mimi Kodheli shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar në përfshirjen e  Kosovës në iniciativat rajonale dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për shkëmbim të përvojave në procesin e integrimit të Kosovës në NATO.

Ministrja Kodheli u prit edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Nevoja e thellimit të bashkëpunimit në mes vendeve tona u theksua nga të dyja palët, si dy shtete të pavarura, me orientim të qartë evropian dhe euroatlantik.

 

Përvoja e Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO, është e një rëndësie të veçantë edhe për Republikën e Kosovës – tha Kryeministri Thaçi duke falënderuar ministren Kodheli për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në funksion të arritjes së standardeve më të larta të NATO-s për FSK-në.

Ministrja e Kodheli, falënderoi kryeministrin Thaçi për lidershipin e treguar në proceset më të rëndësishme historike për Kosovën dhe shprehu gatishmërinë që në të ardhmen të dy shtetet, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës të zgjerojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.