Jahjaga: E drejtë të protestohet, por dhuna nuk arsyetohet

Protesta është e drejtë e pamohueshme demokratike, por ajo duhet të përcillet me përgjegjësin e ruajtjes së rendit publik, ka thënë presidentja Jahjaga. Ajo ka dënuar aktet vandale të një grupi të protestueseve.

Lajme

24/01/2015 18:21

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar sulmin që u është bërë objektit të qeverisë së Kosovës, dhe disa lokaleve private nga një grup i protestuesve.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Jahjaga ka shkruar se e drejta për të protestuar është e pamohueshme, por atë e përcjellë edhe përgjegjësia për të ruajtur rendin publik. 

“E konsideroj protestën e sotme në Prishtinë si një të drejtë demokratike të qytetarëve të Kosovës për të shprehur kërkesat e tyre”. 

“Megjithëkëtë dënoj ashpër aktet vandale të një grupi të vogël protestuesish ndaj pronës publike dhe private të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe kërkoj që organizatorët e protestës të distancohen nga turmat që po sulmojnë Policinë e Kosovës dhe po dëmtojnë institucionet e Kosovës e bizneset në qytet”. 

“E drejta për të protestuar është e drejtë e pamohueshme që garantohet dhe ushtrohet në çdo demokraci, por atë e përcjellë edhe përgjegjësia për të ruajtur rendin publik dhe pronën e ndërtuar me shumë sakrificë, djersë e mund nga qytetarët e Kosovës”. 

“Ftoj të gjitha palët për qetësi dhe demonstrim te pjekurisë politike dhe shoqërore”, ka shkruar Jahjaga.