Jahjaga e Borchardt për zgjedhjet
Presidentja Atifete Jahjaga ka pritur në takim shefin e EULEX, Bernd Borchardt, për të diskutuar për zgjedhjet dhe situatën në Veri.

Lajme
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka pritur të premten në takim shefin e Misionit të BE’së për Sundimin e Ligjit, EULEX, Bernd Borchardt, me të cilin ka biseduar për procesin e zgjedhjeve komunale në Kosovë me theks të posaçëm për rivotimin në veri të Mitrovicë.
Takimi është zhvilluar ditën kur Borchardt ka përfunduar një vizitë dyditore në beograd ku qe takuar me drejtuesit më të lartë shtetërorë të Serbisë.
Presidentja Jahjaga theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës, edhe ata të komunitetit serb në pjesën veriore të territorit të vendit, duhet të kenë siguri për të shfrytëzuar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në mënyrë të lirë dhe pa frikë.
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për zgjedhje demokratike, të qeta dhe të drejta ku qytetarët do të mund të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legalë e legjitimë në mënyrë të lirë”.
“Misioni i EULEX ka një rol të rëndësishëm në këtë proces dhe vlerësoi punën e tij edhe gjatë zgjedhjeve të organizuara më 3 nëntor”.
Shefi i misionit të EULEX, Bernd Borchardt, theksoi gatishmërinë e misionit për të siguruar një proces të qetë dhe paqësor gjatë rivotimit në tri qendra të votimit në veri të Mitrovicës.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e koordinimit të të gjithë mekanizmave që garantojnë sigurinë gjatë procesit zgjedhor.