Jahjaga dhe Veseli urojnë besimtarët ortodoksë serbë

Me rastin e festës së Pashkëve ortodokse serbe, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kanë uruar Peshkopin e Rashkës dhe të Prizrenit, Teodosije dhe besimtarët e këtij konfeksioni fetar.

Lajme

11/04/2015 18:38

Presidentja Jahjaga në urimin e saj drejtuar besimtarëve ortodoks serbë, ka thënë se kjo festë duhet të shërbejë për të shtuar mirëkuptimin në mes të qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnije dhe fetare.

“Me rastin e Festës së Pashkëve Ortodokse, juve, besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj që këtë ditë të madhe të ringjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjen e besimit te Zoti, ta kaloni në paqe dhe solidaritet me njëri-tjetrin, me familjet dhe me miqtë tuaj”.

“Le të na shërbejë kjo Festë e Pashkëve që të përkushtohemi edhe më shumë për ta mirëkuptuar njëri-tjetrin, si qytetarë të barabartë dhe për të ngritur edhe më shumë vlerat e përbashkëta të diversitetit kulturor e fetar si dhe të bashkëjetesës fetare në Kosovë”.

“Në këtë festë që simbolizon zemërgjerësinë, dashurinë dhe solidaritetin me të gjithë njerëzit në nevojë, Uroj që në secilën familje të ketë shëndet, begati, mirëqenie, harmoni dhe gëzim”.

Ndërkaq, edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka uruar Peshkopin Teodosie dhe të gjithë qytetarët e besimit ortodoks të Republikës së Kosovës.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, të gjithë besimtarëve të komunitetit ortodoks në Kosovës, ua uroj festën e Pashkëve. Në simbolikën e ringjalljes së Krishtit, ne gjithmonë gjejmë mesazhet e fuqishme morale që na forcojnë besimin në triumfin e të mirës mbi të keqen, të drejtësisë mbi arrogancën dhe krimin. Është pikërisht ky besim, i cili na jep motiv dhe energji që të punojmë pa u lodhur për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të vendit tonë të dashur. Gëzuar”, thuhet në urimin e kryetarit Veseli.