Jahjaga dhe Mustafa dënojnë përfshirjen e kosovarëve në incidentet në Maqedoni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa shprehin shqetësimin e tyre të thellë dhe dënojnë çfarëdo përfshirje të shtetasve të Kosovës në incidentet në Republikën e Maqedonisë që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Lajme

11/05/2015 15:30

“Pas një takimi të sotëm, presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa bëjnë thirrje për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve të fundit duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të plotë për të zbardhur këto zhvillime të fundjavës në qytetin e Kumanovës”, thuhet në komunikatën lëshuar nga zyra e presidentes.

Mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë të Kosovës kanë kërkuar nga homologët e tyre maqedonas detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ta.

Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën evropiane dhe euroatlantike, me të cilën gëzon marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

Presidentja Jahjaga ka zhvilluar në vazhdimësi takime me kryeministrin Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë për të diskutuar këto zhvillime dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale brenda Kosovës, përfshirë ndërmarrjen e masave të sigurisë.

Institucionet e Kosovës shprehin keqardhjen e tyre familjeve të viktimave dhe të lënduarve dhe bëjnë thirrje për respektim të plotë të ligjit dhe përmbajtje nga dhuna.