Jahjaga: Bursistat e SHBA-ve po e transformojnë Kosovën
Zhvillimi ekonomik i bazuar në sektorin privat, reformat institucionale dhe konsolidimi i sundimit të ligjit mbeten prioritet i Republikës së Kosovës. Kështu ka thënë e para e vendit, Atifete Jahjaga, gjatë takimit me Koordinatoren për Ndihmë të Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Euro-Azi, Alina Romanowski.
Lajme
E këto të fundit, diskutuan për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe aspektet e ndihmës amerikane, ku ndër tjerash u diskutua edhe për përparimin e arritur në krijimin e një shoqërie të hapur dhe vendosjen e rendit e ligjit, si dhe prioritetet e Kosovës që lidhen me zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, përmirësimin e klimës së investimeve, energjinë, bujqësinë dhe arsimin.
Presidentja Jahjaga falënderoi zonjën Romanowski për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin politik, demokratik dhe ekonomik të vendit dhe realizimin e aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Kosovës.
Njëra nga çështjet që sipas Jahjagës po i kushtohet një vëmendje e veçantë, është edhe stabiliteti energjetik dhe infrastrukturor të vendit, e që sipas saj, kjo do të ndihmojë në krijimin e një baze të nevojshme për të tërhequr investime të jashtme që do të krijonin vende të reja pune për qytetarët e Kosovës.
Në kushtet e investimit afatgjatë, Jahjaga theksoi se duhet të vazhdohet t’i kushtohet vëmendje kapitalit njerëzor dhe në këtë drejtim fondet dhe bursat për studime në SHBA, sipas saj, kanë pasur një ndikim transformuese për brezin e ri. Po ashtu ajo tha se duhet zgjeruar këto iniciativa, sidomos duke synuar përfshirjen e më shumë të rinjve nga zonat rurale të Kosovës.