Jacobson: Reagoni ndaj parregullsive

Ambasadorja amerikane Jacobson kërkon nga policia dhe prokurorët që të tregohen të gatshëm të reagojnë ndaj të gjitha parregullsive, ndërsa nga mediat që të raportojnë drejt.

Lajme

01/12/2013 09:32

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Tracy Ann Jacobson, vizitoi qendrën e votimit në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ku potencoi rëndësinë e procesit të sotëm zgjedhor që po zhvillohet në 25 komuna të Kosovës.

“Është proces i rëndësishëm. Kosova bëri një punë të mirë më 3 nëntor, njësoj siç ndodhi edhe në votimet e 17 nëntor në Mitrovicën veriore. Kështu që është e rëndësishme që ta shfrytëzojmë këtë dinamikë, në mënyrë që votuesit të dalin edhe në rrethin e dytë dhe të votojnë, kurse partitë politike të sigurohen që e gjithë puna të jetë në harmoni me ligjin”.

“Ndërkaq policia dhe prokurorët të tregohen të gatshëm të reagojnë ndaj të gjitha parregullsive, sikurse edhe mediat që të raportojnë drejt”, deklaroi Jacobson, raporton RFE.

Nga Ambasada Amerikane do të jenë dy ekipe që do të vizitojnë qendrat e votimit edhe në veri të Mitrovicës, kurse ajo vetë do të ketë një agjendë të ngjeshur me vizita nëpër qendra të ndryshme votimi nëpër Kosovë.

“Kam kënaqësinë që unë mund të luaj rolin tim, duke qenë vëzhguese sot. Sapo ka filluar dita dhe është ende herët, por unë planifikoj të udhëtoj nëpër komuna të ndryshme dhe të vizitoj qendrat e votimit”.

“Njësoj do të veprojnë edhe njerëz tjerë nga stafi i Ambasadës Amerikane si dhe ata të vendeve evropiane, ekipe vendase e ndërkombëtare”.