Jacobson: Qeveria e re të bëjë emërime të duhura, jo partiake

Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Treacy Ann Jacobson i bënë thirrje qeverisë së re që njerëzit për pozita të larta zyrtare t’i përzgjedhë për shkak të kualifikimeve që kanë për ato vende pune e jo për shkak të përkatësisë së tyre partiake.

Lajme

09/12/2014 20:26

Jacobson foli për seancat e Kuvendit, ku tha se ka dëgjuar opozitën duke thënë se qeveria është e korruptuar, derisa qeveritarët kanë thënë se do ta luftojnë korrupsionin.

E tani, sipas saj, ka mbetur të shihet se si do të punojë kjo qeveri.

“Ditëve të fundit kam qenë në Kuvend dhe atje kam dëgjuar shumë fjalime nga opozita, e cila ka thënë se qeveria është e korruptuar dhe kam dëgjuar nga qeveritarët duke thënë se do ta luftojmë korrupsionin por, me të vërtetë të gjithëve do të na interesojë që të shohim ditëve të ardhshme se ku do të vendoset kjo qeveri e re, në veçanti duke i përzgjedhur njerëzit, zyrtarët e lartë, në borde të pavarura dhe në agjenci të pavarura. I bëj thirrje qeverisë që t’i përzgjedhë njerëzit të cilët janë më së miri të kualifikuar për tu përzgjedhur në ato vende pune e jo për shkak të përkatësisë së tyre partiake”, ka thënë ajo.

Këto komente Jacboson i bëri në prezantimin e projektit me USAID-in “Fuqizimi i sektorit privat”. Lidhur me këtë projekt, Jacobson tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë motori kryesor i rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës, transmeton KosovaPress.