Jacobson: Marrëveshje e çuditshme e Bllokut, nuk mjaftojnë vetëm numrat

Duket se ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson nuk i beson shumë Bllokut dhe, madje, marrëveshja e tyre i duket shumë e çuditshme. Në transkriptin e ligjëratës së saj sot te Lëvizja Fol, ajo ka thënë shumë gjëra që lidhen me formimin e qeverisë së re. Transkriptin e gjithë bisedës e ka publikuar Ambasada amerikane dhe përveç tjerash ajo flet për rastin e mandatarit për qeverinë.

Lajme

06/11/2014 19:56

Jacobson thotë se ‘nuk janë vetëm numrat që ta garantojnë qeverinë’. Sipas saj, janë disa kritere të tjera që kanë shumë rëndësi dhe Presidentja duhet të ketë shumë parasysh kur të marrë vendimin për mandatarin e dytë, raporton Indeksonline.

“Nuk janë vetëm numrat për të formuar një qeveri, është gjithashtu gjithëpërfshirja, duke përfshirë edhe pakicat; është angazhimi për rrugën evropiane të Kosovës; është angazhimi për të vazhduar për të zbatuar dhe më tej dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë – të gjitha këto janë gjëra që ajo do të ketë në mendje kur vendos, nëse vjen koha për mandatin e dytë. Politikanë të ndryshëm kanë kërkuar garanci. Për shembull, në qoftë se PDK është e pasuksesshme në raundin e parë, a garanton presidentja se koalicioni do ta ketë raundin e dytë? Nuk ka garanci paraprakisht. Askush nuk e di se si do të duket koalicioni saktësisht. Për shembull, kemi dëgjuar të thuhet nga Lista “Srpska”, për shembull, se ata nuk do të punojnë në një qeveri që përfshin Vetëvendosjen. Unë mendoj se pozicioni i Vetëvendosjes në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është i njohur mirë. Pra, kjo është një pyetje”, ka deklaruar ajo.

“Pra, e vetmja gjë që Presidentja mund të bëjë, dhe në fakt atë që ajo është mandatar të bëjë me Kushtetutë, është që të ketë një sërë konsultimesh dhe pastaj të vendosë kush më së miri i plotëson ato kritere”, ka thënë Jacobson, teksa ka shtuar se e mbështet plotësisht presidenten Jahjaga në këtë rast, duke theksuar edhe një herë se askush nuk mund të ketë garanci paraprakisht.