Jacobson kërkon të raportohen parregullsitë në zgjedhje

Tracey Ann Jacobson thotë se zgjedhjet e 8 qershorit do të organizohen edhe më mirë se ato lokale. Ajo kërkoi nga qytetarët të raportojnë të gjitha parregullsitë e bëra në zgjedhje.

Lajme

29/05/2014 19:49

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ka kërkuar nga qytetarët të raportohen të gjitha parregullsitë gjatë zgjedhjeve.

Në një ligjëratë të mbajtur para studentëve në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Jacobson ka thënë se si zgjedhjet lokale të cilat ishin shumë mirë të organizuara, sipas saj, edhe zgjedhjet e 8 qershorit mund të jenë të atij lloji.

Ambasadorja i ka porositur studentët dhe përfaqësuesit e mediave që nëse shohin ndonjë gabim gjatë ditës së votimit, ta raportojnë atë menjëherë. Megjithatë, Jacobson ka thënë se është optimiste se zgjedhjet do të jenë mirë të organizuara për shkak të rinisë e cila e përbën një përqindje të madhe në Kosovë.

Jacobson tha se bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranoj asgjë më shumë se zgjedhje të lira.

Jacobson ka diskutuar me studentë prej të cilëve ka pas edhe pyetje të ndryshme siç është liberalizimi i vizave, për çka ka thënë se Kosova është në rrugë të mirë sa i përket këtij procesi, por se duhet t’i kryej edhe disa punë të shtëpisë.

Ajo i ka porositur të gjithë të votojnë, derisa u ka thënë që para zgjedhjeve t’i dëgjojnë të gjithë liderët dhe pretimet e tyre, por në ditën e votimit t’i votojnë ata të cilët mendojnë se pas zgjedhjeve do t’i dëgjojnë kërkesat e qytetarëve.