Jabllanoviq paralajmëron tjetër përkeqësim të situatës në veri: Fajëson VV’në dhe Albin Kurtin

Ish-ministri i Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq thotë se situata në veri të Kosovës doli jashtë sistemit për shkak të lëvizjeve të pamenduara dhe të njëanshme të kryeministrit, Albin Kurti. Jabllanoviq në një prononcim për GazetaBlic thotë se, kryeministri Kurti është duke bërë lajthitje të rrezikshme, veçanarisht kur veriun po mendon ta sundojë…

Lajme

28/05/2023 15:29

Ish-ministri i Kosovës për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq thotë se situata në veri të Kosovës doli jashtë sistemit për shkak të lëvizjeve të pamenduara dhe të njëanshme të kryeministrit, Albin Kurti.

Jabllanoviq në një prononcim për GazetaBlic thotë se, kryeministri Kurti është duke bërë lajthitje të rrezikshme, veçanarisht kur veriun po mendon ta sundojë përmes Policisë së Kosovës.

“Me lëvizje të njëanshme dhe të pamenduara situata u soll në një gjendje që nuk i përshtatet as serbëve e as shqiptarëve. Nëse Kurti mendon se me ndihmën e policisë mund ta sundojë Veriun, atëherë është në një lajthitje të rrezikshme”, thotë Jabllanoviq. Jabllanoviq paralajmëron edhe komplikim të situatës në veri, pasi siç thotë ai, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti janë pjesë e problemit.

“Mendoj se kjo situatë në një periudhë të shkurtër kohore mund të çojë në një rebelim serioz të serbëve, gjë që mund ta komplikojë edhe më shumë situatën. Tashmë është plotësisht e qartë se VV dhe Kurti nuk janë dhe nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes dhe se janë pjesë e problemit”, shtoi Jabllanoviq. Sipas Jabllanoviqit, Kurti nuk i sheh serbët si qytetarë të Kosovës teksa thotë se me lëvizjet e fundit, kryeministri po ua mbyll dyert dhe opsionet institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës.

“Këto lëvizje çojnë në faktin se edhe ata serbë që janë për bashkëpunim me institucionet e Kosovës do të ndryshojnë qëndrim dhe mendoj se me këto lëvizje Kurti ua mbyll dyert dhe opsionet institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës, dhe nuk i sheh serbët si qytetarë të Kosovës”, tha Jabllanoviq.

Kujtojmë se, tentimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit dhe Zubin Potokut për të hyrë në objektet e komunave nuk ka qenë i lehtë.

Me të marrë këtë lajm, serbët lokalë kanë lëshuar alarmet dhe ka filluar grumbullimi i qytetarëve për t`i bllokuar hyrjet e objekteve të komunave. Kjo ka nxitur tensionimin e situatës, e cila ka çuar edhe në intervenimin e Policisë së Kosovës.Ndër të parët që reagoi në lidhje me këto zhvillime, ishte ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë.” – tha ai në një shrkim në Twitter.

Ndërkohë, përpos Hovenier, një reagim mjaft te ashpër e ka bërë edhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se kur ishte në Kosovë, kryeministri Kurti nuk i kishte përmendur këtë plan.

“Sapo pata telefonatë me Dereck Cholletin për këtë zhvillim shqetësues. Në takimin e të hënës në Prishtinë me kryeministrin Kurti, ai nuk përmendi ndonjë plan për të hyrë në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës, jam zënë totalisht në befasi dhe ai duhet t’i japë fund këtij provokimi menjëherë.” – ka shkruar ai.