Ja skenari i LAN-it për Vetëvendosjen

Koalicioni paszgjedhor, LAN tashmë ka hartuar një skenar i cili ka për qëllim shfrytëzimin e VV-së vetëm për seancën e zgjedhjes së Kryeparlamentarit. 

Lajme

10/09/2014 20:53

Burimet e lajmi.net brenda koalicionit paszgjedhor LAN bëjnë të ditur se qeverisja e përbashkët me Vetëvendosjen është e pamundur për shkak të qëndrimeve të tyre kundërthënëse karshi dialogut me Serbinë dhe privatizimit.

LAN tashmë ka hartuar një skenar që ka për qëllim inkuadrimin e VV-së në koalicion përmes “Marrëveshjes së parimeve” vetëm për të treguar fuqi politike në Kuvendin e Kosovës gjatë seancës konstituive të 12 shtatorit.

“Vetëvendosje pritet të na ndihmojë në shtyrjen e kandidaturës së Isa Mustafës për Kryeparlamentar. Përkrahja e VV-së është e nevojshme në situatën e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha burimi i lajmi.net brenda LAN-it.

“Rrugët e LAN-it dhe Vetëvendosjes do ndahen gjatë negociatave për bashkëqeverisje, pas zgjedhjes së Isa Mustafës në pozitën e Kryeparlamentarit”, vazhdoi shpjegimin e skenarit ky burim.

“Nuk ka hapësirë në Qeveri për VV-në pasi që tashmë resoret qeveritare janë ndarë ndërmjet partive të LAN-it (…) Ata (Vetëvendosje) do jenë vetëm barrë për neve për shkak të qëndrimeve të tyre ndaj dialogut, privatizimit dhe Listës Serbe”.  (lajmi.net)