Ja si u morën vesh Veljanovski dhe Jankullovska për dëmet e shkaktuara shqiptarëve

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski akoma nuk është deklaruar lidhur me bisedat e publikuara nga opozita, ku ai dëgjohet teksa flet me ministren e Brendshme, Gordana Jankullovska, së cilës i kërkon që të lirojë nga burgu huliganët maqedonas të cilët patën demoluar pronat e shqiptarëve në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit.

Lajme

12/03/2015 18:41

Heshtje nga Kreu i Kuvendit Trajko Veljanovski pas bisedave të publikuara të tij me ministren e brendshme Gordana Jankullovdka, në të cilën dëgjohet se si Veljanovski i kërkon ministres lirimin e huliganëve që në protestat 19 majit të vitit të kaluar, demoluan lokalet dhe pronat e shqiptarëve në Gjorçe Petrov.

Bashkëbisedimi: Gordana Jankullovska dhe Trajko Veljanovski:

Veljanovski: “A do t’i lirojnë?

Jankullovska: Po, po, vetëm duhet pak të menaxhojmë me kohën, që të jetë gjithçka ashtu siç duhet, kupton, të…sepse nuk mjafton vetëm t’i lëshojmë, mos të behët ndonjë skandal, më kupton…

Veljanovski: Po bre, po!

Jankullovska: Ta mbulojmë punën, tash kisha njerëz në zyrë, nuk dua të flas shumë në telefon, do të rregullohet ta dish, do të kërkoj unë.

Veljanovski: Mirë, hajde

Jankullovska: Nesër do të shihemi dhe do ta mendojmë.

Gati një vit pas protestave të dhunshme në Gjorçe Petrov, ku më së shumti pësuan pronat e shqiptarëve, ende nuk dihet dëmi i përgjithshëm që pësuan pronarët shqiptarë nga huliganët maqedonas. Dëmet e shkaktuara nga huliganët, pronarët shqiptarë i kanë rinovuar me mjete personale.

Vetëm një ditë pas protestave, ministrja e Brendshme Jankullovska kishte njoftuar se SPB Shkup po punon në identifikimin e personave që kanë kryer një vepër të tillë. Ndërsa edhe zëvendësi i Jankullovskës, Zemri Qamili kishte njoftuar se kundër 5 personave është ngritur kallëzim penal, ndërsa 27 tjerë janë ftuar në bisedë informative.

Protestat e dhunshme të huliganëve maqedonas në Gjorëe Petrov erdhën pas vrasjes së maturantit Angel Petkovski nga i riu shqiptar Naser Eshtrefi, vrasje kjo e cila ende nuk ka një vendim gjyqësor.