Ja si e zbuluan hetuesit gjerman grupin kokaina në Shqipëri

Prokuroria e Hanoverit në Gjermani ka bërë publike fakte të tjera për grupin e kokainës së sekuestruar në Shqipëri. Mediat gjermane shkruajnë se në një njoftim zyrtar të organit të akuzës, thuhet se laboratori i drogës në Xibrakë është zbuluar falë hetuesve nga Saksonia e Poshtme. 

Lajme

25/01/2015 18:56

Në mediat e huaja shkruhet se gjatë këtij operacioni u arrestuan 11 persona, mes të cilëve edhe nipi i ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Hetuesit gjermanë, në njoftimin e bërë publik për mediat hedhin dyshime se laboratori funksiononte prej kohësh. 

Referuar njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Hanoverit, mediat gjermane shkruajnë se nga operacioni policor në Shqipëri është arrestuar edhe një 46-vjeçar, që jetonte në Hameln të Gjermanisë, duke iu referuar Ilir Hysenit. Por, organi i akuzës gjermane bën me dije se mes bashkëpunëtorëve të grupit të kokainës është edhe një 47-vjeçar me banim në Holzminden, banesa e të cilit është kontrolluar nga policia, por pa dhënë detaje se kush është ky bashkëpunëtor. 

Hetuesit kanë kapur 20 kg kokainë të pastër, disa armë zjarri, kartëmonedha të ndryshme në vlerën e rreth 400 mijë eurove. Mes të arrestuarve është edhe nipi i ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Banesat e 46-vjeçarit në Hameln dhe një bashkëpunëtori 47-vjeçar në Holzminden janë bastisur. Hetuesit e Saksonisë së Poshtme e kishin prej kohësh në shënjestër 46-vjeçarin, pasi mendohej se ishte anëtar i një bande ndërkombëtare të trafikut të drogës. Pas marrjes së informacionit se Shqipëria ishte qendra e tregtisë së drogës, u informuan autoritetet atje. 

“Sipas të dhënave të tanishme, autorët e krimit e përzienin kokainën në Amerikën e Jugut me substanca të tjera të padëmshme dhe kur dorëzohej në Shqipëri, ajo nxirrej sërish. Laboratori i drogës ishte ndërtuar në një vend shumë të sigurt, në afërsi të një fshati në Elbasan, dhe kishte me sa duket muaj të tërë që funksiononte”, thuhet në njoftimin e prokurorisë të publikuar në median gjermane Kreiszeitung.de. 

Burime pranë grupit hetimor në Shqipëri kanë dyshime se një nga drejtuesit e grupit të trafikimit të kokainës është pikërisht personi me emrin Karlos, i cili ende nuk është identifikuar. Të njëjtat burime pohojnë se Karlosi ka qenë në laboratorin e Xibrakës disa ditë para se të bëhej operacioni policor, ku ka parë gjithë procesin e punës. 

Burime të sigurta për “GSH” bëjnë me dije se personi i ashtuquajtur Karlos, ka qenë drejtuesi i gjithë grupit dhe se ai ka parë nga afër gjithë procesin e përpunimit të kokainës në Xibrakë, por këto burime sqarojnë se Karlosi ka qenë në laborator disa ditë para se të bëhej operacioni policor. 

Ndërkohë, për një nga drejtuesit e tjerë të grupit, Ilir Hysenin, ose siç njihej ndryshe me emrin Bali Meta, nga Kanadaja vijnë informacionet se ai ka qenë në krye të një bande me 33 persona dhe se ka qenë në krye të 5 laboratorëve që përdoreshin për falsifikim dokumentesh. Dyshohet se Hyseni dhe njerëzit e tij vidhnin identitete personash dhe më pas i përdornin ato për dokumente dhe karta identiteti.