Ja si e promovon italiani Shqipërinë: S’është si e mendonit! (Video)

Nëpërmjet tre videove të bëra në Shqipëri, të cilat i ka hedhur në Youtube , një shtetas Italian ka dashur të ndryshojë perceptimin e italianëve për Shqipërinë.

Lajme

29/05/2015 18:06

Italiani, i cili e quan veten Lambrenedetto XVI dhe udhëton nëpër vende të ndryshme të botës me synimin për ti promovuar këto vende, këtë herë është ndalur në Shqipëri.

Më kamerën e ndezur, të cilën nuk e ndan në asnjë moment gjatë lëvizjeve të tij nëpër Shqipëri ai filmon dhe komenton të gjitha detajet që i bëjnë përshtypje. “Këtu nuk është botë e tretë”, shprehet Lambrenedetto në video.

YouTube player

Teksa është ndalur në qendër të Tiranës ai me kamerën e tij fokuson disa tipe të shtrenjta automjetesh që lëvizin në trafikun e rënduar të kryeqytetit në atë moment, si “Mercedes Benz” apo “BMW”.

“Sigurisht Shqipëria ende ka probleme të papunësisë dhe prapambetjes por është në zhvillim. Vendi i vogël në Ballkan është në rritje dhe është  kandidate zyrtare për të hyrë në BE, gjë e cila mund të arrihet brenda pak vitesh”, vijon të komentojë më tej italiani.

Sipas Lambrenedetto, zhvillimi i Shqipërisë vjen edhe falë emigrantëve të cilët , kanë punuar e jetuar shumë vite në vende të zhvilluara të botës dhe janë kthyer e kanë investuar në Shqipëri. Kjo sipas tij i ka dhënë jo vetëm një zhvillim, por edhe një imazh të ri vendit.

YouTube player

“Ka edhe shumë italianë që kanë kaluar Adriatikun për të jetuar në vendin e shqiponjave, pasi këtu barra tatimore është më e ulët, krahu i punës është i lirë dhe afërsia me Italinë e bën një vend të përkryer për të investuar”, thekson Lambrenedetto.

Me objektivin e kamerës së tij ai është ndalur edhe në qytetin e Durrësit, ku kërkon të paraqesë edhe në këtë qytet bukuritë dhe vlerat që ai ka. Ai ka fokusuar shëtitoren në një orë të mbrëmjes ku shumë durrsakë zgjedhin për të bërë shëtitje aty. Ka fokusuar lokalet të mbushur me të rinj që i japin një gjallëri qytetit.

Më tej, për të treguar se ky vend është zhvilluar dhe se në të është punuar, Lambrenedetto ndalet dhe fokuson pusetat nëpër rrugë, rrugët e shtruara dhe të vijëzuara, të gjitha këto i  sjell në video edhe duke i komentuar, transmetojnë mediat në Shqipëri.

YouTube player