Ja si do të varrosen eshtrat e Isa Boletinit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur një grup përfaqësuesish të pasardhësve të familjeve të njohura atdhetare, si ajo e Isa Boletini, Hasan Prishtinës, Haxhi Zekës, Azem e Shota Galicës, Idriz Seferit, Mehmet Drallës me të cilët bisedoi rreth përgatitjeve të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Isa Boletini.

Lajme

01/06/2015 18:47

Bahtiri tha se rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini po bëhet në Boletin, falë këmbëngulësisë së familjes së heroit, kërkesës unanime të qytetarëve të Mitrovicës, mbështetjes së intelektualëve mitrovicas, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe shoqërisë civile nga Mitrovica e më gjerë.

“Qëndrimin tim të palëkundur e të drejtë, se rivarrimi i heroit Isa Boletini, në Boletin, e jo në Vlorë, e mbështetën unanimisht qytetarët e Mitrovicës, Kosovës e më gjerë dhe falë kësaj, edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, më vonë u pajtuan”, tha Bahtiri.

“Ne e duam Vlorën dhe jemi gati edhe jetën ta japim për te, por me rivarrimin e eshtrave në Boletin, ne realizojmë amanetin e vetë Isës dhe dëshmojmë respektin dhe dashurinë për të dhe për vendin”.

Bahtiri tha se kjo ceremonia e rivarrimi të eshtrave të heroit Isa Boletini, do të jetë ceremoni madhështore.

Gjatë kësaj vizite familjarët i dorëzuan kryetarit Bahtiri 12 piktura të figurave të njohura kombëtare, si dhuratë për Kullën Muze të Isa Boletinit në Boletin.

Ndërsa Gazmend Boletini, stërnip i Isa Boletini, njoftoi se, nga një anëtar, nga secila familje e figurave të njohura atdhetare nga vendi, do të marrin pjesë në ceremoninë e nisjes së rrugëtimit të eshtrave të heroit Isa Boletini, si dhe në rivarrimin në Boletin.

Ai tha se eshtrat e heroit Isa Boletini, do të nisen nga Vlora, për të kaluar pastaj dhe ndalur në Tiranë, Prizren, Deçan, Prekaz, Prishtinë, për të arritur në Mitrovica, ku në stadiumin “Adem Jashari”, do të mbahet ceremonia kryesore.

Nga këtu, eshtrat e heroit do të vendosen në oborrin e kompleksit të kullave të tij, në Boletin, me përcjellje të Policisë.