Ja sa vlejnë doktoraturat në UP, aq sa i hedhin në plehra
Kosova ka pasur deficit të kuadrit akademik, e thuhet që ka ende. Por të kundërtën e dëshmon stafi i Universitetit të Prishtinës. Në universitetin publik, hulumtimet disavjeçare për grada shkencore, hidhen në plehra. Kështu ka ndodhur edhe me tezën e doktoraturës të studiueses, Majlinda Bregasi.
Lajme
Studiuesja Bregasi, vetë e ka denoncuar rastin, duke e publikuar në profilin e saj në Facebook, pasi tezën e saj të doktoraturës të mbrojtur në Universitetit të Prishtinës, e ka hasur të hedhur në mbeturina.
Ajo e ka vlerësuar si të dhimbshëm këtë rast.
“E dhimbshme dhe e turpshme të shoh doktoraturën time të hedhur në plehrat e Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë”.
“4 vjet punë, 1 vit hulumtim nëper universitete në Europë e Amerikë, 10 kopje të shtypura për herë të dytë, pasi një profesor i komisionit u ankua për një gabim teknik (nuk kish dalë bukur numri i faqeve), 1000 euro për semestër e plot prapaskena të ulëta me të cilat jam përballur sikur po bëja ndonjë krim të rëndë që po punoja me një nga gjuhetarët më me zë botëror, e ja, shiko ti, m’i hedhin në plehëra mu përpara hundës në këtë mënyrë”.
“Faleminderit mikut tim qe m’i dërgoi këto foto. Kush e ka bërë këtë punë, ka treguar nivel të larte të akademizmit në UP. E falenderojë që ma hoqi përfundimisht ndonjë fije nostalgjie”.
“Megjithatë miq, punimin tim do ta keni se shpejti të botuar në format elektronik, që më duket mënyra më e mirë për t’ua ofruar lexueseve, studiueseve e gazetareve, duke e kursyer kështu, përveç të tjerave, edhe ndonjë pemë për letrën”, ka shkruar Bregasi në Facebook. (lajmi.net)