Ja sa mund t’i kushtojë Kosovës një i akuzuar nga Specialja

Një i akuzuar nga Gjykata Speciale, mund t’i kushtojë nga qindra në miliona euro buxhetit të Kosovës.

Lajme

06/08/2015 22:22

Kështu thotë të paktën avokati, Tomë Gashi, pas miratimit të projektligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara. Ai thotë se avokatët ndërkombëtarë do të paguhen shumë, derisa vlerat do të jenë varësisht prej kompleksitetit të lëndëve.

“Mbeten çështje që duhet të shihen në të ardhmen, por shpenzimet kalojnë shuma milionëshe, pasi rastet e krimeve të luftës zgjasin për shumë vite, deri në plotfuqishmërinë e tyre. Këto shuma janë relativisht të larta duke pas parasysh standardin e Kosovës”, tha ai.

Gashi vlerëson se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të paktën morale që të kërkojë asistencë materiale nga BE-ja për këtë. Ai përmendi edhe shifrat prej 1.5 milionë eurove për rastin e Fatmir Limajt, ndërsa 10 milionë euro për atë të Ramush Haradinajt.

Por, buxheti i Kosovës pritet të dëmtohet edhe më shumë. Analisti Artan Muhaxheri thotë se edhe duke u nisur nga e kaluara, pret që të ketë keqpërdorime të mëdha të mjeteve.

“Gjithmonë aty ku ka shuma të mëdha parash, ku ka miliona euro, aty ka edhe keqpërdorime. Prandaj, është pritshme që edhe kësaj here të ndodh e njëjta gjë”, tha ai, duke kërkuar transparencë nga Qeveria për raste të tilla. /RTV Dukagjini/