Ja sa do të fitojnë sportistët për një muaj nga Komiteti Olimpik

Plotë 15 sportistë nga Kosova kanë arritur të fitojnë bursa olimpike, në mënyrë që të bëjnë një përgatitje sa më të mirë për lojtarat e ardhshme olimpikë, ‘Rio 2016’.

Sport

03/03/2015 17:14

Të martën, sportistët më të dalluar nga Kosova kanë nënshkruar kontratë me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe përfaqësuesit e Federatave përkatëse. Në këtë mënyrë, këta sportistë do të fitojnë nga 500 dollarë për çdo muaj, deri në zhvillimin e evenimentit që do të mbahet në Brazil, gjatë vitit tjetër.

Lum Zhaveli (notar), Rita Zeqiri (notare), Erendita Gërguri (Taekwondo), Qëndrim Guri (çiklist), Majlinda Kelmendi (xhudiste), Nora Gjakova (xhudiste), Akil Gjakova (xhudist), Letrime Krasniqi (xhudiste), Urata Rama (shenjëtare), Lumturie Rama (shenjëtare), Musa Hajdari (atlet), Vijona Kryeziu (atlete), Hazir Asllani (shigjetar), Armend Xhoxhaj (boksier) e Kastriot Sedolli (mundës), janë sportistët që përfituan bursa olimpike, të ndara nga Solidariteti Olimpik, por edhe Kuvendet Komunale të Kosovës, përmes së cilave, do të mundohen ta sigurojnë normën olimpike për pjesëmarrje në “Rio 2016”.

Sportistët e lartpërmendur janë shprehur të lumtur për këtë ndihmë, duke premtuar se do ta japin maksimumin, për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në Rio.