Ja pse u ndava nga Hashim Thaçi

Jakup Krasniqi flet për ecurinë e prishjes së raporteve të tij me Hashim Thaçin. Thotë se e tëra ka nisur para zgjedhjeve të vitit 2010 dhe kulmoi me aferën e përgjimeve. Ai dha shenja afrie me Vetëvendosjen për të cilën tha se “nuk ka pjesë në keqqeverisje”.

Lajme

01/03/2014 19:59

Një ditë pasi ka bërë parti të re, Jakup Krasniqi ka hapur “arkivat” e përplasjeve të tij me lidershipin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka folur sonte për arsyet që bënë që ai dhe Fatmir Limaj të largohen nga partia në themelimin e të cilës kishin kontribuuar që të dy.

Nga studio e TV 21, Krasniqi, tash Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, ka thënë se acarimi i raporteve të tij me Kryetarin e PDK’së, Hashim Thaçi, kishte nisur qysh para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010, por ftohja e tyre kishte arritur fundin pas publikimit të aferës së përgjimeve telefonike të njohur si “Pronto”.

Megjithëse thotë se vetë nuk ka ndier inat ndaj personave të përfshirë në këtë aferë ku lakohej emri i tij.

“Prej përgjimeve janë ftohur raportet. Ndoshta Thaçi nuk e ka ndier veten mirë nga ai moment”.

“Konflikti politik ka filluar më herët por ndoshta kulmi ishin këto përgjime. Unë nuk e kam marrë me shpirt në fyt atë çështje. Unë e di që në komunikime të fshehta ka mendime të ndryshme për njerëzit dhe i shfaqin, por unë nuk kam mundur ta ndjej veten mire”.

“Mua më vinte keq që kishte ndodhur ajo dhe nuk isha pjesë e fajit në ato raporte”.

“Pesha mund të jetë e rëndë në anën tjetër, por jo në anën time. Të isha në pozitën e tyre, do ta ndjeja veten shumë keq”.

Duke folur për arsyet e largimit nga PDK, Krasniqi është shprehur se para se të ndodhë largimi, ka bërë përpjekje për të krijuar një “funksionim demokratik” të partisë por kjo , sipas tij, nuk ka ndodhur.

“Ne i kemi pasur kërkesat tona para edhe pas zgjedhjeve të fundit. Kërkesa e fundit ka qenë që të shtyhen zgjedhjet në PDK dhe ato të mbahen sipas parimit “një anëtar, një votë”.

“Duke mos pasur vullnet për të krijuar një kohezion të brendshëm, të debatit dhe të konkurrencës së ideve, mënyra si janë zgjedhur jo vetëm Ministrat, por edhe deputetët, e sidomos mënyra si është zgjedhur Presidenti, kanë dëshmuar se nuk ka gatishmëri për frymë demokratike, për debat”.

“Në të gjitha institucionet e shtetit janë emëruar njerëz që nuk e kanë pasur përgatitjen e duhur profesionale dhe nuk kanë qenë kompetentë për detyrat që i kanë marrë”.

“Keqqeverisja dhe korrupcioni, sidomos në mandatin e dytë, kanë pamundësuar jetën e përbashkët”.

“Ndarja e rrugëve është bërë herët, para një viti. Zyrtarizimin e kemi bërë atëherë kur janë pjekur kushtet”.

“Ka kohë që kam thënë që unë i kam ndarë rrugët me drejtuesin e PDK’së”.

“Unë në PDK kam shumë shokë, shumë miq. Nuk kam inati as me Kryetarin e PDK’së. kanë qenë çështje parimore ato që më kanë shtyrë të ndahem”.

“Nëse kjo qeverisje është e suksesshme, meritat i ka Kryeministri, por nëse nuk është e suksesshme ai është përgjegjës. Qytetarët e kanë formësuar bindjen se gjatë këtyre viteve ka pasur një qeverisje të keqe, të shtrenjtë sepse ka pasur numër të madh të Ministrave e Zëvendësministrave”.

“Kosova nuk ka kapacitete financiare për të pasur më shumë se 10 ose 12 ministra.

“Këto ia kam thënë (Hashim Thaçit) para zgjedhjeve të fundit. I kam thënë që qeverisja duhet të jetë më e mirë, duhet të bëhet me njerëz më kompetentë. Debati për një qeverisje më të mirë nuk ka filluar pas zgjedhjeve të fundit, por para zgjedhjeve të fundit”.

Sot kur Krasniqi ka bërë parti të re, ai nuk e di cila është pasha politike e saj.

“E kemi të vështirë ta masim peshën tonë politike. Politikës në Kosovë i kemi dhënë shumë por janë zgjedhësit e Kosovës ata që do ta mirëpresin dhe që do ta përcaktojnë peshën e Nismës për Kosovën”.

Thotë se Nisma për Kosovën mund të orientohet kah qendra e majtë, dhe nuk përjashton një bashkëpunim politik me Vetëvendosjen.

“Vetëvendosje nuk ka pjesë në keqqeverisje as tani, as në të kaluarën. Janë një prej subjekteve të pandikuar nga keqqeverisja dhe e kanë mundësinë të dëshmohen tani me Komunën e Prishtinës”.

Ai e ka quajtur të pakuptimtë hapjen e një tribunali i cili do të merrej me dyshimet për krime të kryera nga ish Ushtria Clirimtare e Kosovës.

“Po bëhet Tribunal për vendin i cili për dekada i është nënshktruar një dhune shtetërore. Është tepër e pakuptimtë”, ka thënë Krasniqi për TV 21.