Ja pse nuk funksionoi alarmi kundër zjarrit në Kuvend, pas hedhjes së lotsjellësit

Deputetët janë përlotur në dy seanca nga gazi lotsjellës, por ata kanë qenë më fat. Pos skuqjes së syve kanë mund edhe të bëhen qull. Ndërtesa e legjislativit të vendit ka alarm anti zjarr që lëshon ujë sa herë që brenda ndërtesës do të detektohej tym.

Lajme

17/10/2015 13:25

As në herën e parë e as në seancën e fundit, kur deputetët e opozitës Albin Kurti, Faton Topalli e Donika Kadaj Bujupi hodhën gaz lotsjellës brenda sallës, alarmet kundër zjarrit nuk u aktivizuan, as deputetët nuk u lagën

Burime të RTV Dukagjinit kanë shpjeguar se në kohën kur kryetar Kuvendi ka qenë Jakup Krasniqi, alarmet kundër zjarrit në sallën e Kuvendit të Kosovës janë testuar të paktën tri herë dhe kanë qenë funksionale.

Në një përgjigje zyrtare për RTV Dukagjinin sekretaria e Kuvendit kanë thënë se gjatë seancave, alarmi nuk është aktiv pasi që kujdestaria fizike e zëvendëson atë.

“Gjatë gjithë kohës së seancave kemi kudjestari aktive në rast zjarri, defekti të rrymës, ujësjellesi, ujërave të zeza e raste të tjera. Normal se kur kemi kujdestari aktive dhe prezencën e ekipeve për ndërhyrje, alarmi pushon”, thuhet në përgjigjen e sekretarisë

Bazuar në këtë përgjigje zyrtare, i bie se në rast zjarri apo uji, punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës që janë përgjegjës për mirëmbajte, do të reagonin duke ftuar zjarrfikësit apo do të përdornin mjetet e posaçme për shuarje e zjarrit, por nuk do të mund të llogarisnin në spërkatjen automatike që është brenda këtij sistemi.

Zyrtari, pjesë e ish administratës së Kuvendit në kohën e Jakup Krasniqit, që ka folur në kushte anonimiteti ka thënë se gjatë atij mandati alarmi anti zjarr ka qenë gjithmonë aktiv.