Ja përse azili ekonomik është ëndërr e parealizueshme

Shumë emigrantë nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit të cilëve nuk po u pranohet azili në shtetet e Bashkimit Evropian, mbase mund të pyesin arsyet rreth e këtij refuzimi. Lajmi.net transmeton analizën më poshtë, të bazuara në fakte dhe statistika, që jep shpjegime konkrete rreth këtij fenomeni.

Bota

08/09/2015 11:45

Në fakt ekziston një dallim thelbësor në mes të emigrantëve nga Ballkani dhe refugjatëve nga Siria të cilët aspirojnë Evropën për një jetë më të mirë.

Përderisa në rastin e sirianëve, Evropa është e “detyruar” të pranoj refugjatët për shkak të obligimeve humanitare, në rastin e emigranteve të cilët emigrojnë për arsye ekonomike, Evropa dhe vendet tjera të zhvilluara detyrohen të bëjnë të kundërtën, pra të mos pranojnë azil ekonomik.

Në të kundërtën, për shembull, nëse të gjithë njerëzit e varfër të botës do të emigronin në shtetin e aspiruar, Gjermaninë, në çdo kilometër katror të Gjermanisë do të kishte mbi 8 mijë e 600 njerëz.

Pra, praktikisht, për t’u arritur një gjë e tillë, para se gjithash do të duhej të shkeleshin ligjet e fizikës, për shkak se është e pamundur që në një hapësirë të tillë të vendosej e gjithë kjo materie. Pra Gjermania nuk ka as hapësirë fizike për gjithë njerëzit e varfër.

Kjo është edhe arsyeja se përse azili ekonomik nuk mund të rregullohet me legjislacion në vendet e zhvilluara. Ndërkaq, nëse një shtet do të jepte azil selektues, të marrim si shembull vetëm shqiptarët, kjo do të konsiderohej si politikë raciste, transmeton lajmi.net.

Pra, përderisa disa mijëra shqiptarë gjatë këtij dhe vitit të kaluara kanë kërkuar azil në Evropë me arsyetimin e varfërisë, në anën tjetër të botës ka me miliarda njerëz që jetojnë me më pak se dy dollar në ditë.

Statistikat e OKB-së tregojnë se vetëm në kontinentin e Afrikës ka mbi 650 milionë njerëz të varfër, që jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Në Indi ka rreth 890 milionë të atillë, në Kinë rreth 480 milionë, në pjesën tjetër të Azisë rreth 480 milionë, ndërsa në vendet e Amerikës Latine rreth 405 milionë, transmeton lajmi.net.

Bazuar në këtë, edhe nëse Bashkimi Evropian, SHBA, Australia dhe Kanada do të pranonin nga 4 milionë imigrantë për çdo vit, do të duheshin rreth 1 mijë vjet që të ekuilibrohej varfëria në botë. Dhe kjo do të mund të ndodhte vetëm nëse popullsia e këtyre vendeve të pazhvilluara do të mbetej statike. Faktikisht realiteti tregon të kundërtën.

Në fakt statistikat tregojnë se nataliteti më i lartë është pikërisht në këto vende. Vendet e varfra në botë njihen për shtim më të ashpër të popullsisë, dhe kjo nënkupton se milionat e varfër do të rriten edhe më shumë, nëse nuk ndryshon trendi i zhvillimit ekonomik në botë.

Kjo tregon se azili ekonomik, apo zbutja e varfërisë në botë nëpërmjet migrimeve është një ëndërr e parealizuar.

Migrimet në vendet e zhvilluara në raste të caktuara mund të paraqesin prosperitet personal, por asnjëherë zgjidhje të përgjithshme. Zgjidhje e vetme mund të jetë zhvillimi ekonomik në vet vendet prej nga vijnë këta imigrantë. /lajmi.net