Ja marrëveshja e arritur në Bruksel (Dokument)

Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk lëkund asnjë nga ligjet aktuale në fushën e drejtësisë.

Lajme

11/02/2015 13:29

Një kopje e marrëveshjes e siguruar nga RTK, tregon se marrëveshja është në plotëni në përputhje me një sistem unik të sistemit të drejtësisë.

“Pjesa dërmuese e rasteve në gjykatën themelore ndahen nga një gjyqatar në përputhje me ligjet e Kosovës”, saktëson marrëveshja, sipas të cilës Kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, do të jetë serb i Kosovës nga Veriu i Kosovës, ndërsa Kryeprokurori në Zyrën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë do të jetë shqiptar.

“Ligjet e Kosovës do të aplikohen nga Insitucionet e Drejtësisë në përputhje me marrëveshjen e parë. Do të ketë një Gjykatë Themelore dhe një Prokurori Themelore për rajonin e Mitrovicës”, thuhet në marrëveshje.

Gjithashtu, aty specifikohet se në Kosovë, Kryetari i Gjykatës Themelore vendos vendndodhjen e secilës çështje.

“Për Prokurorin vendosja e çështjes bazohet mbi ekspertizën, specializimin dhe të kaluarën personale dhe njohurit e tij lokale në përputhje me ligjet e Kosovës”, saktëson marrëveshja.

Kjo marrëveshje e plotë dhe origjinale që është siguruar nga RTK, është në gjuhën angleze.

Sipas marrëveshjes, Gjykata Themelore në Mitrovicën e Veriut do të përbëhet: Nga divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë i cili do të përbëhet nga 5 serbë të Kosovës dhe 2 gjyqtarë shqiptarë. Ndërsa, departamenti i krimeve të rënda për tërë rajonin e Mitrovicës do të përbëhet nga katër serbë të Kosovës dhe 4 gjyqtarë shqiptarë, pjesë të departamentit të përgjithshëm, duke përfshirë edhe rastet kriminale. /RTK/

Drejtësia

1. Ligjet e Kosovës do të aplikohen nga instituticionet gjyqësore në përputhje me Marrëveshjen e Parë

2. Do të ketë një Gjykatë Themelore dhe një Zyrë të Prokurorisë Themelore për rajonin e Mitrovicës

3. Për Gjykatën Themelore të Mitrovicës do të jenë në shfrytëzim disa godina

4. Janë katër degë ekzistuese për Gjykatën Themelore të Mitrovicës në rajonin e Mitrovicës (Zubin Potok, Leposaviq, Skënderaj, Vushtrri)

5. Shumica e rasteve që vijnë nga komunat ku ndodhen degët do të gjykohen në ato degë, në përputhje me ligjin

6.Në Kosovë, Kryetari i Gjykatës Themelore është ai që cakton vend-gjykimet

7. Caktimi i rasteve për në prokurori bazohet në ekspertizë, specializim, në formimin personal dhe njohjen e zonës lokale, në përputhje me ligjet në Kosovë

8. Për shumicën e rasteve në Gjykatën Themelore, vendimi merret nga një gjyqtar i vetëm, në përputhje me ligjin

9. Të dyja palët do të përfaqësohen në të gjitha objektet e Gjykatës THemelore të Mitrovicës, Zyrës së Prokurorisë Themelore dhe njësisë së Gjykatës se Apelit në Mitrovicë

10. Shumica e punëtorëve në objektin e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e veriut do të jenë serbë të Kosovës

11. Objekti i Gjykatës Themelore në Mitrovicën e veriut do të përbëhet nga:

-Njësiti i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, i cili do të përbëhet nga 5 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 2 gjyqtarë shqiptarë

-Departamenti për krime serioze për tërë rajonin e Mitrovicës, i cili do të përbëhet nga 4 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 4 gjyqtarë shqiptarë

-Pjesa e departamentit të përgjithshëm që gjykon/trajton të gjitha veprat penale për Mitrovicën e veriut, Mitrovicën e jugut dhe Zveçanin

12. Objekti i dytë i Gjykatës Themelore të Mitrovicës do të përbëhet nga:

-Departamenti për të mitur për të gjithë rajonin e Mitrovicës

-Pjesa e departamentit të përgjithshëm që gjykon/trajton të gjitha çështje civile, deklarimet e pakontestuara, veprat penale të të miturve për Mitrovicën e veriut, Mitrovicën e jugut dhe Zveçanin.

Objekti i dytë do të jetë në Mitrovicën e jugut, në të ashtuquajturën ndërtesën e ‘Jugobankës’ ose në një objekt tjetër, për të cilin do të pajtohen të dyja palët.

13. Kryetar i Gjykatës Themelore do të jetë një serb i Kosovës nga Mitrovica

14. Kryeprokurori i Zyrës së Prokurorisë Themelore do të jetë shqiptar i Kosovës. Objekti ndodhet në Zyrën Administrative për Mitrovicën e veriut (MNAO), e cila ndodhet në Mahallën e Boshnjakëve ose në ndonjë objekt tjetër, për të cilin do të pajtohen të dyja palët.