Ja kur do të protestojnë gastronomët

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Odës së Hotelierisë e Turizmit, kanë paralajmëruar protestë për të mërkurën më 15 dhjetor ora 13:00, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Lajme

09/12/2021 10:05

Ata konsiderojnë se Qeveria e Kosovës po i mban mbyllë klubet e natës e sallat e dasmave, pa asnjë mbështetje.

“Na kanë burgosë e as bukë spo na japin. Po i thërrasim e spo na përgjigjen. Po i kërkojmë pak mëshirë, e të burgosur po na vrasin përditë”, thuhet në një shkrim Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës në “Facebook”.

Ata thonë se durimit të tyre tashmë i ka ardhë fundi.

“Jemi tu duru që 19 muaj duke i mbajtë mbyllë Klubet e Natës e Sallat e Dasmave, pa asnjë mbështetje. Kafiterive e restauranteve vetëm po ju keqësohen punët përditë me rritje enorme të çmimeve, me kujdes ndaj konsumit, dhe ulje të profitit”, thuhet tutje në njoftim.

Duke thënë se kjo mbyllje po e shkatërron ekonominë, e po e rritë varfërinë, gastronomët kanë bërë ftesë për protestë.

“Ju ftojmë ti bashkoheni zërit të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës dhe Odës së Hotelierisë e Turizmit të Kosovës, duke qenë pjesë e protestës sonë të madhe, për ti mbrojtur të drejtat tuaja dhe idealin tonë, për ta shpëtuar shëndetin tonë e mirëqenien tuaj! Të mërkurën më 15 Dhjetor, në ora 13:00, të gjithë në sheshin “Skënderbeu”, para Qeverisë! BOLL MA!”, thuhet në njoftim.

Me masat e fundit kufizuese, veç tjerash, ashpërsohen edhe kushtet për hyrje në Kosovë, ndërsa kufizimi i lëvizjes vazhdon të jetë në fuqi nga mesnata deri në orën 05:00. Orari i punës së gastronomisë, po ashtu, nuk ndryshon; puna e këtij sektori lejohet deri në orën 23:00, ndërsa muzika ndalohet pas orës 21:30.