Ja fituesit e Arritjeve të Vitit “Milingona e Artë” (FOTO)
Për herë të tretë me radhë, por më fuqishëm se kurrë, “Milingona e Artë” dëshmoi se shoqëria jonë ka emra të mëdhenj për të cilët të gjithë duhet të jemi krenarë.

ShowBiz
Në një mbrëmje gjithë klas dhe glamur, u zhvillua nata e arritjeve “Milingona e Artë” për herë të tretë radhazi. U ndanë çmimet për nëntë kategoritë garuese, si dhe u nderuan personalitete të shquara shqiptare. Prezenca e tyre në sallë solli madhështi për të gjithë shqiptarët e Maqedonisë.
Fituesit e Arritjeve të Vitit “Milingona e Artë” për vitin 2014 u shpallën:
Arritja e vitit në ndikimin e kulturës (institucionet): Teatri Shqiptar Shkup
Arritja e vitit në muzikë: Elita 5
Arritja e vitit në artet pamore: Besian Mehmeti
Arritja e vitit në sport: Agim Ibraimi
Arritja e vitit në artet e performuara – arti skenik: Ibrahim Deari
Arritja e vitit në artet e performuara – muzikë klasike: Sihana Badivuku
Arritja e vitit në media: Rruga Drejt… / Alsat M
Botime shkencore, letërsi dhe publicistikë: Arlind Farizi
Talenti i vitit: Jasir Asani – futbollist
Gjatë mbrëmjes u ndanë edhe këto çmime nga organizatori:
Dy çmime karriere:
Izet Curri – stilisti i cili ka pasur ndikim global me shijen e tij, nga Parisi e Hollywoodi duke veshur nga yjet kinematografikë e deri te princeshat. “Ky çmim më nderon, por edhe më detyron të punoj akoma më shumë”, është shprehur Curri.
Musherefe Llozana – aktorja legjendë e Teatrit Shqiptar. Puna e saj 60 vjeçare ka hapur perspektivë të theksuar sidomos për zhvillimin e femrës dhe teatrit, por dhe vet artit në përgjithësi. Një emocion i papërshkruar dhe respekt i thellë përkuljeje u krijua në sallë për aktoren e cila ka luajtur mbi 150 role gjatë karrierës së saj.
Çmimi promotor i vlerave shqiptare:
Mirjana Maleska, profesoreshë universitare, studimet e saj, puna e saj ndër vite si dhe gjatë vitit 2014, ka ndikuar jo vetëm në promovimin, por edhe në edukimin e vlerave shqiptare. “Kjo është hera e parë në jetë që dikush kujtohet për të më dhënë qoftë edhe një mirënjohje gjatë gjithë jetës sime”, ka deklaruar Maleska.
Dhe për herë të parë këtë vit, organizatorët ndanë një mirënjohje:
Klubi Sportiv “Studenti” – Tetovë, për punën humane për organizimin e aktiviteteve sportive për fëmijët me nevoja të posaçme në gjithë Pollogun. transmeton telegrafi.com
Për të prezantuar çmimet, ashtu si edhe vitet e kaluara, u shfaqën në skenë emra eminentë të jetës kulturore në vend, si akademik Alajdin Abazi, Ilire Vinca, Naser Selmani, Miranda Hashani dhe të tjerë. Po ashtu, një prezantim shumë të veçantë për lirinë e shprehjes bëri prezantuesi i njohur, Adi Krasta.
Prezent në mbrëmjen e arritjeve shqiptare, “Milingona e artë”, ishin rreth 200 të ftuar, pjesë e elitës kulturore, shkencore, akademike, sportive dhe artistike e shqiptarëve të Maqedonisë, por edhe nga rajoni.
Juria e sivjetme ishte në përbërjen e Petrit Saraçini, Teuta Ajdini Jegeni, Vullnet Tairi, Vjollcë Berisha, Visar Ganiu dhe Merita Maksuti. Prezantues të këtij edicioni ishin aktori Fisnik Zeqiri dhe Afrona Vërzivolli, kurse manifestimin e pasuroi zëri i një talenteje me zë hyjnor që performoi ekzkluzivisht për Milingonën. lajmi.net