Ja emrat e kandidatëve për rektor të UP-së

Gjashtë kandidatë kanë konkurruar për postin e rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Konkursi për të parin e UP-së është mbyllur sot (e premte). “Epoka e re” ka mësuar emrat e pesë pretendentëve për postin e rektorit. Ata janë: Ramadan Zejnullahu, Behxhet Mustafa, Adem Nura, Anton Berishaj dhe Isuf Musliu.

Lajme

22/08/2014 23:09

Rektori që do të zgjidhet me këtë konkurs do të ketë mandat dyvjeçar për periudhën e mbetur të mandatit paraprak, përkatësisht deri më 30 shtator të vitit 2016. Sipas kësaj llogaritje, i bie që rektori i ri ta vazhdojë mandatin e ish-rektorit Ibrahim Gashi, i cili pati dhënë dorëheqje në fillim të këtij viti. Që nga muaji prill Këshilli Drejtues pati zgjedhur profesor Anton Berishajn për ta menaxhuar UP-në, i cili do ta ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjen e rektorit.

Rektorin e zgjedh Këshilli Drejtues nga lista e kandidatëve të propozuar nga komisioni profesional prej pesë (5) anëtarëve, të cilin komision e formon Senati. Këshilli Drejtues ka të drejtë ta refuzojë listën e kandidatëve të propozuar nga komisioni profesional duke e arsyetuar atë.

Rektori i UP-së zgjidhet me shumicën absolute (shumicën e anëtarëve të përgjithshëm) në pajtim me dispozitat e këtij Statuti. Në rast se asnjë kandidat nuk fiton këtë shumicë në radhën e parë të votimit, atëherë dy kandidatët me numrin më të madh të votave kualifikohen në votimin e dytë. Nëse asnjëri nga dy kandidatët nuk fiton shumicën absolute tri herë radhazi, procedura e zgjedhjes së rektorit përsëritet nga fillimi, siç është paraparë në Statutin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.