Ja çka konsumohet më së shumti në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e anketës së buxhetit të ekonomive familjare për vitin 2015, ku thuhet se konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015, ishte 2,461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7,503 euro, si dhe për kokë banori 1,432 euro.

Lajme

09/06/2016 17:43

 

Agjencia e Statistikave të Kosovës, përmes një komunikate për media ka prezantuar rezultatet e dala nga ky publikim, ndërsa, në bazë të studimit konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015, ishte 2,461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7,503 euro, si dhe për kokë banori 1,432 euro.

“Konsumi i përgjithshëm në vitin 2015 krahasuar me vitin 2014 ka një rënie të lehtë, ndërsa konsumi për kokë banori ka një rritje 3.3 për qind. Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2015 është shpenzuar në ushqim dhe banim: 43 për qind për ushqim dhe 30 për qind për banim, të konsumit të përgjithshëm. Ndërkohë, që pasojnë shpenzimet për transport, alkool dhe duhan, veshmbathje dhe mobilie me 4 për qind”, thuhet në komunikatë për media.

Sipas ASK, në vitin 2015, krahasuar me dy vitet e mëparshme 2013-2014, ushqimi nga prodhimi vetanak në konsumin e përgjithshëm, ka shënuar një rritje nga 6 për qind sa ishte në vitin 2014, në 7 për qind në 2015.

Gjithashtu, ka një rritje të ushqimit të vetëprodhuar nga ekonomitë familjare për 1 për qind. Konsumi i ushqimit në Kosovë në vitin 2015, sipas rezultateve të ABEF-it, dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë).

“Më pas, radhiten perimet dhe pijet joalkoolike. Konsumi i bukës dhe drithërave në vitin 2015 ka pasur një rënie në 17 për qind nga 18 për qind sa ishte në vitin 2014, pra, ka një rënie për 1 për qind”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Në bazë të rezultateve të ABEF-it 2015, vërehet se në Kosovë ka përmirësim të standardit jetësor të popullatës. Gjithashtu ka një zvogëlim të konsumit në ushqim, ndërsa ekziston një rritje të konsumit në komponentët e tjerë, si në rekreacion, etj.

“Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare sipas ABEF-it 2015, del të jenë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat. Të hyrat nga remitencat kanë pasur një rritje nëse e krahasojmë me vitin 2014, ku në kuadër të burimeve kryesore të të hyrave të ekonomive familjare, remitencat kanë marrë pjesë me 8 për qind, ndërsa në vitin 2015 remitencat kanë marrë pjesë me 9 për qind. Pra, kemi rritje të remitencave për 1% në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014”, thuhet tutje në komunikatë”thuhet në komunikatë.