Ja çfarë shkruajtën mediat e huaja për vizitën e Kerry-t në Tiranë

​Mediat e huaja bëjnë të ditur se sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry viziton Shqipërinë për t’i dhënë një shtysë miratimit të paketës së madhe të reformave në gjyqësor dhe legjislativ.

Lajme

14/02/2016 14:10

Agjencia e lajme “Associated Press” shkruan se “John Kerry është duke bërë një ndalesë të dielën në kryeqytetin shqiptar për t’i bërë thirrje qeverisë dhe partive opozitare për të mbështetur paketën, e cila tani është në pritje në parlament”.

Zyrtarët amerikanë që udhëtojnë me Kerryn thanë se reformat do të jenë një hap i rëndësishëm përpara në përpjekjen e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Sipas “Associated Press”, Sekretari Kerry ka në plan gjithashtu të falënderojë Shqipërinë për kontributin e saj në luftën kundër Shtetit Islamik.

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit është pasqyruar edhe nga agjencia prestigjoze “Reuters” e cila e ka titulluar shkrimin e saj “Kerry në Shqipëri për të inkurajuar reformat e anti-korrupsionit”.

“Parlamenti në Tiranë është duke shqyrtuar disa reforma, të mbështetur ed he nga Perëndimi, që përfshin një njësi të re anti-korrupsion, e modeluar sipas Byrosë Federale të Hetimeve të SHBA-së”, thuhet në shkrimin e Reuters.

“Kerry do t’i jepte një shtytje të lehtë”, ka thënë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.

 

“Shqipëria ka marrë nga SH.B.A. ndihma të qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë 20 milionë $ për të reformuar gjyqësorin dhe zbatimin e ligjit”, vijon më tej Reuters. /ATSH