Izraeli nuk i komenton “në këtë moment” debatet rreth vendit të ambasadës

"Është çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje", ishte deklarata e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në takimin e tij me ambasadorin turk në Kosovë.

Lajme

03/03/2021 19:32

Dhe kjo, nuk është deklarata e parë që vjen nga ky subjekt politik lidhur me çështjen e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, shkruan lajmi.net.

Ishte ish-ministri i jashtëm i Kosovës nga ky subjekt politik, Glauk Konjufca që kishte deklaruar se është i gatshëm që të rishqyrtojë vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem nëse kjo i kërkohet nga Bashkimi Evropian.

Sot, Kryeministri në ardhje, Albin Kurti, bashkë me kandidaten për deputete, Fitore Pacolli dhe asistenten ekzekutive,…

Posted by Lëvizja VETËVENDOSJE! on Monday, March 1, 2021

E lidhur me këtë çështje dhe me debatin që është hapur pas kundërshtimeve të Turqisë dhe Bashkimit Evropian për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit për lajmi.net kanë refuzuar t’i komentojnë.

Nga MPJ e Izraelit, thonë se “në këtë moment”, nuk po i komentojnë këto zhvillime.

“Për momentin ne nuk po i komentojmë këto pyetje.”, thuhet shkurt në përgjigjen e MPJ-së izraelite për lajmi.net.

E njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avni Mazreku në një përgjigje për lajmi.net tha se moskomentimi i këtyre zhvillimeve nga Izraeli është pasojë e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis dy këtyre shteteve.

Më tutje, Mazreku është shprehur se konsekuencat e një vendimi eventual për ndryshimin e mendimit lidhur me vendosjen e ambasadës do të ketë gjithashtu edhe pasoja më të mëdha sesa tërheqja e njohjes nga Izraeli.

Sipas tij, Izraeli ka pasur qasje konstruktive ndaj Kosovës dhe është një nga shtetet më serioze dhe më ndikim në rrafshin global.

“Sa i përket përgjigjes së Ministrisë së Jashtme të Izraelit që nuk i ka komentuar këto ngjarje në këtë fazë vjen prej asaj se qëndrimi i Kosovës është që vendosja e ambasadës të jetë në Jerusalem. E dyta, nëse Kosova ndryshon vendim sa i përket kësaj, mendoj se konsekuencat për Kosovën nuk duhet të shihen vetëm nga tërheqja e njohjes nga Izraeli sepse nuk besoj që një shtet serioz në marrëdhënie diplomatike si Izraeli do ta tërheq njohjen, është një nga shtetet që ka ndikuar në nivel global, në vendime që janë marrë në organizata të rëndësishme globale si OKB-ja, por konsekuencat për Kosovën edhe nëse nuk hiqet njohja, pasojat do të jenë më të mëdha sesa vet tërheqja e njohjes nga Izraeli.”, tha Mazreku për lajmi.net.

Mazreku gjithashtu tha se çështjet e tilla të marrëdhënieve bilaterale duhet të shihen më thellë dhe duhet të shihen sipas rolit që ka pasur Izraeli në shtetndërtimin e Kosovës dhe në procesin e artikulimit të sovranitetit të Kosovës në planin global.

“Ne e dijmë se lobi izraelit është ndër më të fuqishmet në botë dhe ndër lobet kryesore që ka ndikuar edhe në bombardimin atë kohë. Mendoj që roli i Izraelit ka qenë konstruktiv në shtetndërtimin e Kosovës dhe vet njohja e Kosovës në kohë më të vonë ka qenë në funksion të avancimit të njohjes së Kosovës nga disa vende të tjera pasi që njohja e Izraelit do të mund të ndikonte negativisht, por pasi Izraeli e pa se çfarë ndodhi gjithë këto vite, në këtë moment kur ka ndodhur njohja e Izraelit, si shtet ka qenë mjaft konstruktiv dhe ka ndikuar në avancimin e Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare. Këto çështje duhet të shihen në kontekst më të thellë, në kontekst strategjik të avancimit të Kosovës në planin ndërkombëtar dhe jo të kemi qasje siç jemi mësuar të shohim nga politikanët tanë në Kosovë.”, tha Mazreku.

Me 1 shkurt Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike, pasi që më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbinë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, pjesë e të cilit ishte edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Pjesë e marrëveshjes për njohjen ishte edhe zotimi i Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem.

Ky zotim kishte nxitur reagime të vendeve që kundërshtojnë vendosjen e ambasadave në Jerusalem, përfshirë Turqinë e cila e cilësoi “zhgënjyes” faktin që “një hap i tillë, që do të përbënte shkelje të qartë të ligjit ndërkombëtar, po shqyrtohet nga autoritetet e Kosovës”, por gjithashtu edhe nga Bashkimi Evropian që reagoi kundër vendosjes së ambasadës në Jerusalem.

Derisa presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan shkruan se vendosja e ambasadës në Jerusalem “do të mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, kryeministri izraelit, Benjanim Netanyahu, shkruan se i kushton “rëndësi vendimit të Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem dhe ju pres në Izrael për përurimin e saj”. Letrat u publikuan në facebook nga zëdhënësi i zotit Kurti, Përparim Kryeziu së bashku me letrat e udhëheqësve tjerë nga bota që i kanë uruar fitoren.

Posted by Perparim Kryeziu on Saturday, February 27, 2021

Menjëherë pas marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar me zotimin e Kosovës për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Meqë Kosova dhe Serbia e kanë përcaktuar integrimin evropian si përparësi strategjike, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të veprojnë në harmoni me këtë përkushtim që të mos dëmtojnë ardhmërinë e tyre evropiane. Serbia tashmë është duke negociuar këtë anëtarësim dhe pritet që ajo të harmonizojë politikën e saj me ato të Bashkimit Evropian”, tha atëbotë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Lidhur me këtë çështje, profesori Mazreku shprehet se BE-ja nuk ka asnjë të drejtë as morale, juridike e politike që t’i ndërhyjë Kosovës në marrëdhëniet bilaterale me vende të tjera pasi vet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, Kosova duhet të jetë tërësisht refuzuese ndaj çdo sinjali që vjen nga BE për marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin.

“Bashkimi Evropian nuk ka asnjë të drejtë, as morale, as juridike e as politike që t’i ndërhyjë Kosovës në këto raporte kur vet BE nuk e njeh sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe kur BE si faktor kryesor në dialogun Kosovë – Serbi duhet të gjejë zgjidhje evropiane për problemet evropiane sepse Kosova është çështje evropiane. BE nuk e ka të unifikuar politikën e jashtme si BE dhe e dimë se vendet e BE siç janë çështje të Palestinës ose Irakut të politikës së jashtme nuk ka pasur mendim unik. Kosova duhet të jetë refuzuese komplet nga çdo sinjal që vjen nga BE për marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin.”, tha Mazreku për lajmi.net.

Vëzhguesit pohojnë se qëndrimet e tilla mund të vënë në pozitë të vështirë zotin Kurti si kryeministër i ardhshëm, por tërheqin vërejtjen se vendndodhja e ambasadave është vendim i vendit mikpritës dhe Kosova nuk mund të përcaktojë se ku do ta ketë ambasadën e saj.

Debatet rreth kësaj çështjeje dhe qëndrimi i zotit Kurti u kritikuan ashpër të martën nga ish i dërguari i ish presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi, Richard Grenell. Duke shpërndarë një shkrim të gazetës izraelite Heeratz që transmetoi një shkrim të agjencisë së lajmeve Associated Press për këtë çështje ai shkroi në twitter se “udhëheqësi antiamerikan i krahut të majtë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë kundër politikave të Shteteve të Bashkuara të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithnjë një anti-amerikan”, shkroi ai.

Në fund, Mazreku është shprehur se Kosova do të tregonte jo-seriozitet nëse do të ndryshonte vendimin për vendosjen e ambasadës në Jerusalem.

“Unë mendoj që Kosova nuk duhet ta shqyrtojë vendimin për ambasadën sepse është vendim edhe i Kosovës edhe Izraelit, çështjen e ambasadës. Prandaj, nëse Kosova, një ekzekutiv, i ardhshëm ose ky tenton që ta ndryshojë këtë vendim mendoj që tregon jo-seriozitet në ndërtimin e marrëdhënieve me vendet e tjera dhe jep mesazh të keq. Prandaj, çfarëdo tendenca ose ideje që vjen që të kontestohet kjo marrëdhënie bilaterale është e gabuar dhe unë mendoj se nuk do të ndodh dhe se nuk do të ndryshohet ky vendim.”, tha Mazreku.

Në anën tjetër, është çështje e kohës deri kur do të kuptohet nëse Kosova do të ndryshojë ose jo qëndrim rreth vendosjes së ambasadës në Jerusalem. Një ndryshim eventual do të binte ndesh dhe do të ishte shkelje e marrëveshjes së 4 shtatorit të arritur në Shtëpinë e Bardhë. /Lajmi.net/