Izraeli me projektligj për ndalimin e thirrjes së ezanit

Një anëtarë i koalicionit qeverisës të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, është duke formuluar një projektligj, i cili do të vinte kufizime të rrepta mbi ezanin - thirrjen islame për namaz - për të gjitha xhamitë në Izrael.

Bota

29/10/2014 23:20

Ky projektligj, i cili ka shumë gjasa që të cilësohet si jo tolerant ndaj pakicës fetare myslimane në Izrael, pretendon se thirrjet e ezanit gjenerojnë “zhurmë të padurueshme”, të cilat ua prishin gjumin qytetarëve.

“Qindra e mijëra qytetarë të Izraelit, në Galilee, Negev, Jerusalem dhe në pjesë të tjera të Izraelit qendror vuajnë nga zhurma që shkaktohet nga thirrja e mezinit, i cili bënë thirrjen e besimtarëve për në xhami”, thuhet në këtë projektligj, raporton The Telegraph, transmeton lajmi.net.

Këtë projektligj është duke e sponsorizuar deputeti Robert Ilatov, i cili ka mbështetjen edhe të ministrit të Punëve të Jashtme, Avigdor Lieberman.

Ky projektligj do t’i paraqitet komitetit ministror për legjislacion javët e ardhshme dhe ka gjasa që t’i japë të drejtën Ministrisë së Brendshme që të vendosë nëse sistemet e adresimit të publikut mund të instalohen nëpër “shtëpitë e lutjes” – e cila mund të parandalojë që mezinët të bëjnë thirrje për lutje. Por, kjo është në dorën e ministrit.

“Liria e fesë dhe e adhurimit është liri universale dhe secili në çdo shtet demokratik mund ta ushtrojë atë, dhe natyrisht kjo ndodhë edhe në Izrael. Kjo nuk do të thotë se liritë e tjera mund të shkelen, si e drejta për të pasur një jetë normale, e cila përfshin edhe mosprishjen e gjumit gjatë natës nga zhurmat”, ka thënë Ilatov në një intervistë dhënë gazetës Tedioth Ahronoth.

Një propozim i ngjashëm ishte dhënë edhe në vitin 2011, dhe që ishte mbështetur edhe nga vet Netanyahu, por që kabineti qeveritar nuk e pati miratuar, pasi që u tha se kjo gjë mund të nxisë ndasi.

Vlerësohet se 20 për qind e popullsisë së izraelit përbëhet nga arabët dhe shumica e tyre janë myslimanë, transmeton lajmi.net.