Izraeli ka arrestuar 483 palestinezë në tetor

Izraeli ka arrestuar 483 palestinezë në muajin tetor, në mesin e të cilëve 125 janë fëmijë

Bota

07/11/2017 19:33

Forcat izraelite kanë arrestuar 483 palestinezë në muajin tetor në operacionet e kryera në Jerusalemin Lindor dhe Bregun Perëndimor të okupuar, në mesin e të cilëve 125 janë fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kjo shifër është shpalosur në një raport të përbashkët nga Komiteti i të Burgosurve Palestinezë, Klubi i të Burgosurve Palestinezë dhe disa organizata për të drejtat e njeriut.

Sipas raportit, Jerusalemi Lindor i okupuar është regjistruar si qyteti me numrin më të madh të arrestimeve, gjithsej 137.

Ndërkaq, 82 persona janë arrestuar në qytetin Xhenin dhe 80 në Hebron në Bregun Perëndimor të okupuar.

Po ashtu, autoritetet izraelite kanë caktuar “burgim administrativ” për 86 palestinezë të arrestuar, duke rritur kështu në 450 numrin e palestinezëve me “burgim administrativ” në burgjet izraelite.

Raporti tregon se 125 nga të arrestuarit në muajin tetor janë fëmijë, duke theksuar se numri i palestinezëve të moshës së mitur në burgjet izraelite ka kaluar në mbi 300.

Në raport janë dënuar shkeljet “jonjerëzore” të Izraelit ndaj palestinezëve, ndërsa i është bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që urgjentisht të intervenojë.

Forcat e Izraelit shpeshherë organizojnë bastisje nëpër shtëpi në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, duke arrestuar palestinezët me akuza të ndryshme.

Në burgjet izraelite aktualisht ndodhen afër shtatë mijë palestinezë, prej të cilëve 300 janë fëmijë.