Izraeli e gjuan me raketë shtëpinë e komandantit të Hamasit

Autoritetet palestineze kanë njoftuar se gruaja dhe fëmija e komandantit të Hamasit, Mohammed Deif, janë në mesin e civilëve të vrarë të mërkurën, nga sulmet ajror izraelite në Rripin e Gazës.

Bota

20/08/2014 17:26

Rreth 20 palestinezë kanë vdekur që nga e marta, kur Hamsi rifilloi të gjuaj raketa në territorin izraelit, pas dështimit për zgjatjen e armëpushimit nga dy delegacionet që po takoheshin me ndërmjetësues në Kajro.

Ushtria izraelite që prej gjashtë javësh ka njoftuar se ka kryer 92 sulme ajrore si përgjigje ndaj 137 raketave të gjuajtura në territorin e saj, luftime këto që kanë marrë jetët e të paktën 2100 civilëve palestinezë, si dhe dhjetëra luftëtarëve islamikë të Hamsit dhe pjesëtarëve të ushtrisë izraelite.  

Por për vrasjen e familjes së komandantit të Hamasit nga Rripi i Gazës vijnë informacione kundërthënëse.

“Besohet se në sulmin ajror ndaj një shtëpie në qytetin e Gazës është vrarë vetëm gruaja e komandantit Mohammed Deif, ndërsa djali i tyre, i ri, mendohet të jetë vrarë nga vetë militantët e Hamasit”, raporton Kevin Connolly i BBC-së.  

Komandanti i krahut të armatosur të Hamasit, iu ka mbijetuar një sërë përpjekjesh të mëparshme për vrasje nga izraelitet, por besohet se sulmet e kanë lënë atë me aftësi të kufizuara.

Ministri i brendshëm izraelit, Gideon Saar, ka thënë se sulmi ishte i justifikuar, sepse sipas tij Muhamedi Deif ishte personalisht përgjegjës për dhjetëra të vdekur.

Po ashtu autoritetet izraelite kanë pohuar se komandanti i Hamasit në kohën e sulmit ka qenë në shtepi, përndryshe sipas Yaakov Perry, ish shef i Shërbimit të Sigurisë, ushtria izraelite nuk do të kishte kryer këtë sulm.

Ende nuk dihet me saktësi nëse është vrarë komandanti i Hamasit, apo sa anëtarë të familjes së tij janë vrarë, por njëri nga mjekët ka thënë se punëtorët e shpëtimit kanë larguar nga rrënojat e shtëpisë trupat e tre personave të vdekur.