Izrael, Netanyahu nën presion për të formuar qeverinë
Në Izrael po shtohen mundësitë për zgjedhje të reja parlamentare ndërsa Kryeministri Benjamin Netanyahu nuk ishte në gjendje të formonte një qeveri të re, kur kishin ngelur vetëm disa orë nga afati i mesnatës.

Bota
Në bisedimet e udhëheqësit izraelit me ish ministrin e mbrojtjes Avigdor Lieberman nuk ka patur shenja përparimi. Partia e zotit Lieberman ka pesë vende në parlamentin me 120 anëtarë, për të cilat ka nevojë zoti Netanyahu për të marrë kontrollin e shumicës.
Zoti Netanyahu ka refuzuar të pranojë kërkesën e zotit Lieberman që hebrenjtë ulta-ortodoksë të jenë pjesë e shërbimit të detyruar ushtarak sikurse të gjithë hebrenjtë e tjerë, dhe të mos bëhet përjashtim për ta si në të kaluarën.
“Gjithçka është siç ka qënë”, u shpreh zoti Lieberman.
Ligjvënësit izraelitë po debatojnë mbi mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, duke hapur rrugën për zgjedhje të reja vetëm disa javë pasi zgjedhjet e parakohëshme të muajit prill u duk sikur i krijuan mundësi të mira zotit Netanyahu për të formuar një qeveri të re, duke u bërë kryeministër për të pestën herë dhe udhëheqësi që e ka mbajtur më gjatë këtë post.
Netanyahu dhe Lieberman, disa herë aleatë dhe shpesh herë rivalë gjatë viteve, ka mundësi të arrijnë një marrëveshje të minutës së fundit. Po ashtu, Presidenti Reuven Rivlin mund t’i kërkojë një ligjvënësi tjetër që të formojë një qeveri të re, mundësisht duke i dhënë fund shpresës së 69 vjeçarit Netanyahu që të mbetet udhëheqës i vendit.
Partia Likud e zotit Netanyahu thotë se ka vota të mjaftueshme për të miratuar shpërndajen e parlamentit, gjë që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, duke i hequr mundësinë presidentit të caktojë një ligjvënës tjetër për të formuar qeverinë e re.