Ivica kundër Dacicit

Edita Tahiri thotë se Ivica Dacic në Beograd po e thotë krejtësisht të kundërtën e asaj që po punon në Bruksel. Sipas saj, BE po ia bën të qarta mesazhet Serbisë, se nuk mund të hyjë në këtë Union pa e njohur Kosovën.

Lajme

30/11/2013 08:00

Qëndrimi i Kryeministrit të Serbisë, Ivica Dacic, lidhur me shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi, nuk përputhet me angazhimin e tij në bisedimet në Bruksel.

Kjo është përgjigja që Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri i bën Kryeministrit serb lidhur me “ofertën” që ky i fundit e ka bërë pas mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB’së, për shkëmbim territoresh me Kosovën.

Në një intervistë për lajmi.net, Tahiri thotë se të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen përmes të dialogut në Bruksel.

Ajo thotë se vetë angazhimi i palës serbe në dialog tregon se në fund të procesit do të ketë njohje reciproke mes dy shteteve.

“Është një diskrepancë e plotë mes deklaratave kontraverse e të kohëpaskohshme të z.Dacic dhe angazhimit që ai dhe Qeveria e Serbisë e bëjnë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

“Qëndrimi ynë lidhur me këto çështje është se procesi i dialogut të Brukselit duhet përfundimisht të rezultojë me njohjen reciproke të dy shteteve, pra që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të realizohet normalizimi i plotë”.

Tahiri, e cila njëherit është edhe Shefe e Delegacionit të Kosovës për Bisedime Teknike me Serbinë, ka kritikuar Kryeministrin serb se përmes këtyre deklaratave po dëshmon se ende vazhdon të merret me politikat e vjetra të Serbisë.

“Deklarata e tij lidhet më tepër me politikat e vjetra të Serbisë, ndërkohë që Ballkani po jeton realitetin e ri të lindjes së shtatë shteteve të reja, përfshirë edhe shtetin e Kosovës, nga procesi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë”.

“Serbia në kuadër të proceseve që janë zhvilluar në rajon, që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë deri te përfundimi i zhbërjes së ish-Jugosllavisë, është treguar larg realiteteve, përderisa gjitha ne tash kemi njohje reciproke nga shtetet tjera”.

“Është vetëm Serbia ajo që po vonohet ta kuptojë dhe pranojë realitetin. Por, jam e bindur që Serbia po e sheh që të gjitha shtetet në rajon po ecin drejt Bashkimit Europian, andaj edhe ajo ka kthyer tashmë politikat pro europiane. Pra, sikur po përpiqet të përfshihet në këto procese dhe në kuadër të integrimeve europiane parimi i fqinjësisë së mirë është një prej parimeve kryesore”.

Zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se Serbia nuk mund të ketë perspektivë europiane, pa e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Serbia e ka parasysh se nuk mund ta sigurojë perspektivën europiane pa e njohur Kosovën dhe për këtë unë mund t`ju them që mesazhet e Bashkimit Europian janë gjithnjë e më të qarta se vendet duhet të kenë fqinjësi të mirë me shtetet përreth, nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e BE’së”.

“Prandaj, unë jam e bindur që Serbia do të shkëputet nga politikat e së kaluarës dhe do ta pranojë realitetin në kuadër të së cilës Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran”.

Tahiri u shpreh se dialogu në Bruksel në procesin e implementimit ka shënuar disa rezultate, mirëpo mbetet ende shumë për t’u bërë në periudhën që po vjen.

“Ne vazhdimisht kemi biseduar dhe po bisedojmë me Bashkimin Europian, në mënyrë që Serbia t’i përmbushë obligimet zbatuese. Ndërkohë që, ne kemi konfirmuar edhe obligimet e realizuara në raport me zbatimin, përfshirë edhe zgjedhjet e suksesshme që janë mbajtur në zgjedhjet lokale në Kosovë, sipas standardeve ndërkombëtare demokratike, të cilat edhe u vlerësuan nga faktori ndërkombëtar”.

“Prandaj, ne do të angazhohemi që të plotësojmë obligimet tona zbatuese për Marrëveshjen e Brukselit, ndërkohë që ne do të kërkojmë nga Bashkimi Europian të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ka dhe Bashkimi Europian ka mundësi për shkak se Serbia ka shprehur aspiratat zyrtare për t’u bërë pjesë e BE`së. Pra, Bashkimi Europian ka mundësi që të përdorë mekanizmat e tij për të bërë që Serbia të zbatojë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit”.

“Tashmë në marrëdhëniet mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, janë shtatë marrëveshje të mëhershme të arritura nga dialogu teknik”.

“Ato në pjesën më të madhe janë duke u zbatuar, prandaj mund të them se pres që Marrëveshja e 19 prillit të zbatohet, sepse nuk ka alternativë tjetër, për arsye se perspektiva europiane e Serbisë varet dhe është e kushtëzuar me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit”, thotë Edita Tahiri për lajmi.net.