Ivanov ende nuk e jep mandatin (Video)

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë pret ftesë, Ivanov ende është duke menduar

Lajme

28/02/2017 18:07

Nga kabineti i presidentit në një bisedë telefonike për TV21 thonë se Zaevit mandatin do t’ia japin këtyre ditëve për të formuar kabinetin e ri qeveritar.

“Nga kabineti i presidentit nuk tregojnë se në cilën ditë mandati do të përfundojë në duart e liderit të Lidhjes Socialdemokrate por thonë se publiku do të jetë i informuar në kohë.”

Nga LSDM thonë se në adresë të partisë ende nuk ka arritur thirrja nga Vila Vodno por presin që mandatin ta marrin në një kohë sa më të shkurtër. Të njëjtën deklaratë gjatë ditës se djeshme e dha edhe lideri i LSDM-së Zaev i cili Ivanovit ia dorëzoi dokumentin me nënshkrimet që të mund të fillojë bisedimet për formimin e qeverisë.

“Në të njëjtën kohë e shfrytëzoj mundësinë që t’iu dërgoj mesazh të gjithë qytetarëve të Maqedonisë por edhe institucioneve se do të ketë transferim të qetë dhe të shpejtë të pushtetit në Republikën e Maqedonisë”, u shpreh Zoran Zaev, Lideri i LSDM-së.

Gjatë fundjavës sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jans Stoltenberg iu beri thirrje të gjithë palëve që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e ndryshme por të sjellin vendime për të mirën e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Ndryshimet në shoqëritë demokratike janë të natyrshme dhe duhet të jenë të pranuara u shpreh edhe eurokomisari për zgjerim Johanes Han, i cili në një deklaratë me shkrim nënvizoi se për shkak se tani nënshkrimet janë siguruar, Ivanovi duhet mandatin t`ia jep kandidatit i cili e ka shumicën në parlament.