Italia ndalon pronësinë e përbashkët

Nga afati kalimtar i verës e tutje, klubet italiane nuk do të lejohen që të kenë futbollistë në pronësi të përbashkët, ka vendosur Federata e Futbollit të Italisë.

Sport

28/05/2014 12:19

Italia ka vendosur t’ia ndalojë klubeve pronësinë e përbashkët të futbollistëve, me arsyetimin se praktika nuk është në nivel me trendin e shteteve tjera evropiane.

“Nga afati i ardhshëm kalimtar e tutje, pronësia e përbashkët e futbollistëve nuk do të jetë më e mundshme”, deklaroi presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë (FIGC), Giancarlo Abete për www.figc.it.

“Ky sistem është vënë në dyshim shumë herë nga opinioni publik dhe tanimë është e qartë se është i kundërt në krahasim me pjesën tjetër të Evropës”, shtoi ai.

Një prej futbollistëve më të talentuar në pronësi të përbashkët mes dy klubeve është golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit në Serie A, Ciro Immobile. Kartoni i tij ndahet nga Torino dhe Juventus, ndërsa sulmuesi kërkohet nga shumë klube të mëdha evropiane përfshirë Borussia Dortmundin.

Sipas pronësisë së përbashkët, secili klub ka në pronë 50 përqind të futbollistit.

Klubi blerës do ta mbajë futbollistin për një stinor, ia mbulon pagën, dhe në fund, marrëveshja mund të vazhdohet për një vit, ose të përfundohet me njërin klub që blen edhe pjesën tjetër të kontratës.