Italia i kërkon BE-së mbështetje financiare për emigrantët

Italia i kërkon Bashkimit Evropian një mbështetje më të madhe financiare, në mënyrë që të rris operacionet e ndihmës për të shpëtuar emigrantët në Mesdhe.

Bota

16/04/2015 18:33

Ky shtet po ashtu u ka dërguar një mesazh të qartë shteteve prej nga po vijnë emigrantët, se pasi ata të shpëtohen, do të dërgohen sërish në vendet e tyre.

Kështu ka deklaruar sot shefi i diplomacisë italiane, Paolo Gentiloni.

“Mbikëqyrja dhe operacionet e shpëtimit në det do të peshonin më tepër në supet tona nëse ne nuk do të kemi ende një përgjigje të qartë nga Bashkimi Evropian”, tha sot Gentiloni për “Corriere della Sera”.

“Dhe më pas ka një tjetër problem shumë delikat. Ku duhet të dërgohen personat e shpëtuar? Në portin më të afërt? Në vendin e ardhjes së anijes që i ka rigjetur? Për të gjitha këto pyetje BE-ja duhet të përgjigjet me qartësi”, theksoi ai.

Organizatat humanitare kanë denoncuar autoritetet evropiane për pakujdesinë e treguar ndaj mbytjes së emigranteve në Mesdhe, pas zhdukjes në det rreth 400 prej tyre të dielën, pavarësisht kërkimeve të rojave bregdetare italiane.

“Amnesty International” vuri në dukje se duke kërkuar ndalimin e operacionit të shpëtimit “Mare Nostrum”, që ka shpëtuar deri tani 17 000 jetë, dhe zëvendësimin e tij me operacionin ”Triton”, një mision monitorues, BE-ja u kthen shpinën përgjegjësive të saj dhe kërcënon në këtë mënyrë mijëra jetë.