Italia humb De Rossin
Daniele De Rossi nuk pritet të jetë në gjendje t’i ndihmojë Italisë në duelin vendimtar në Grupin D kundër Uruguait. Mesfushori ka një problem në pulpë dhe shumë vështirë se do të rikuperohet me kohë.

Sport
Pas humbjes së befasishme nga Kosta Rika, Italia është goditur nga lajmi i keq se mesfushori Daniele De Rossi nuk pritet të jetë në dispozicion për duelin vendimtar në Grupin D kundër Uruguait.
Ylli i Romës ka një dëmtim në pulpë dhe stafi mjekësor i Azzurrëve ka njoftuar se ai nuk do të jetë në gjendje të luajë kundër Uruguait, në duelin që do të përcaktojë skuadrën e dytë të kualifikuar nga Grupi D, pas befasisë Kosta Rikës.
“Daniele ka një probleme në pulpë. Andaj, është e pamundur që tani të caktojmë një datë për rikthimin e tij mirëpo është në rrezik shumë të madh që mos të luajë kundër Uruguait”, deklaroi doktori Enrico Castellacci.
Italisë i nevojitet së paku një barazim kundër Uruguait në mënyrë që të sigurojë kualifikimin e mëtutjeshëm, kurse Uruguait i kryen punë vetëm fitorja.