Italia dekoron ambasadoren e Kosovës me çmim prestigjioz për diplomaci

Ambasadorja e Kosovës në Itali, Lendita Haxhitasim, të hënën që e lamë pas, është nderuar me çmimin prestigjioz ”Premio Internazionale Evanto Donna”, për kategorinë ”Diplomaci”.

Lajme

03/06/2022 20:35

Kjo është bërë e ditur sot nga një njoftim i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Itali, në të cilin thuhet se motoja e edicionit të IV të Premio Internazionale Evento Donna ishte: ”Forca e gruas për një rilindje kulturore, sociale, ekonomike dhe solidare”, përcjell klankosova.tv.

Presidentja, znj. Maria Grazia Tetti dhe drejtoresha artistike, znj. Raffaella Bonfiglioli, theksuan që “Komiteti i Nderit i kësaj iniciative edhe në këtë edicion ka nderuar personalitete dhe figura të rëndësishme në Itali, që janë dalluar sidomos për nxjerrjen në pah të vlerës dhe forcës së gruas”.

Tutje, gjatë ceremonisë, me mirënjohje janë nderuar edhe gra dhe burra për ekselencat që kanë kontribuar në rritjen dhe zhvillimin e universit të gruas në fusha të ndryshme, nga arsimi te diplomacia, gazetaria, arti, letërsia, shkenca, sporti, TV, muzika, etj.

Ky event është organizuar nën patronazhin e Parlamentit Evropian, Presidencës së Këshillit të Ministrave të Italisë, Ministrisë së Kulturës, si dhe me kontributin e Rajonit të Lazios dhe ishte një moment i veçantë për të lartësuar fuqizimin e gruas.

Ndërkaq, për seksionin e Kulturës dhe Arsimit, u nderua rektorja e Universitetit La Sapienza të Romës, prof. Antonella Polimeri, si e para grua rektore e këtij universiteti.

E për seksionin e institucioneve italiane, u nderuan shefja e seksionit “Mundësitë e Barabarta dhe Perspektiva Gjinore të Shtabit të Mbrojtjes”, Kolonelja Rosa Vinciguerra dhe Prefektja e qytetit të Arezzos, znj. Maddalena De Luca.

Me çmime për kontributin e tyre janë nderuar po ashtu edhe gazetarja e TG2 Post-RAI, znj. Manuela Moreno, aktorja dhe regjisorja italiane Simona Izzo, aktori Ricky Tognazzi, këngëtari dhe prezantuesi televiziv Marcello Cirillo, shkrimtari dhe regjisori Federico Moccia, etj.