Ismet Krasniqi pranon edhe zyrtarisht detyrën e presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës

Ish-presidenti i deritashëm, Besim Hasani, ia ka dorëzuar sot edhe zyrtarisht detyrën e udhëheqjes së Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqit.

Sport

31/03/2021 18:52

Hasani, që ka drejtuar KOK-un prej vitit 1996, e ka uruar presidentin e ri Krasniqi për marrjen e detyrës, duke i uruar suksese në mandatin e ardhshëm katër-vjeçar.

“Ju dëshiroj punë të mbarë dhe suksese. Uroj që përkujdesi dhe përkushtimi juaj të jetë maksimal. Stafin që është këtu e kam lutuar që të angazhohet edhe më shumë se sa me mua, vetëm e vetëm që kjo foshnje (KOK-u) gjashtë-vjeçare të rritet gradualisht”, tha ndër të tjera ish-presidenti Hasani, i cili shprehu gatishmërinë për të dhënë kontributin e tij për KOK-un, sa herë që t’i kërkohet.

Nga ana e tij, presidenti Krasniqi falënderoi Hasanin për punën e bërë, duke i vlerësuar lartë fjalët e tij.

“Këto fjalë që mi thatë nuk do t’i harrojë kurrë dhe u premtoj se do të japim maksimumin për t’i mbajtur. Është e vërtetë që Komiteti Olimpik i Kosovës është një foshnje, por ne do të angazhohemi për ta rritur dhe për ta zhvilluar sa më shumë”, tha mes tjerash presidenti Krasniqi.

Të pranishëm në ceremoninë e dorëzim pranimit ishin edhe sekretari i përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj dhe nënpresidenti Gazmend Maxhuni.

Krasniqi u zgjodh president i ri në Asamblenë Zgjedhore, të mbajtur më 25 mars 2021.